Ballina Ekonomi Mbi 36 mijë biznese e rreth 152 mijë punëtorë aplikuan për të...

Mbi 36 mijë biznese e rreth 152 mijë punëtorë aplikuan për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale

Janë rreth 152 mijë punëtorë të kompanive të ndryshme private në Kosovë, që deri më sot kanë bërë kërkesë për kompensim të pagave në Administratën Tatimore, në mënyrë që të përfitojnë nga Pakoja Emergjente Fiskale.

Kurse numri i bizneseve që kanë aplikuar për të përfituar nga kjo pako është 36 mijë e 548.

Në një përgjigje për Telegrafi, zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa, tregon se, numri i atyre që kanë aplikuar për të përfituar pagën prej 170 euro është rreth 131 mijë.

“Numri i bizneseve që kanë aplikuar për mbështetje nga Pakoja Emergjente Fiskale është 36,548, numri total i punëtorëve që kanë aplikuar është 151,834, kurse numri i atyre që kanë aplikuar sipas masës 3, përkatësisht për përfitim të pagesës prej 170 euro është 130,766”, tha Bytyqi-Sefa.

Ajo tregon se numri i atyre që kanë aplikuar për të përfituar nga 100 euro, që bëjnë pjesë punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve është 9 mijë e 441.

Bytyqi-Sefa thotë se për kompensim për punëtorët e larguar nga puna, në ATK kanë aplikuar gjithsej 1,312 punëtorë.

“Numri i atyre që kanë aplikuar sipas masës 8, apo pagesa shtesë prej 130 euro për ata punëtorë që kanë humb vendet e punës është 1,312”, tha ajo.

Kurse, ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi tregon se vonesa e pagave e disa punëtorëve nga Pakoja Emergjente Fiskale është për faktin se të dhënat e tyre janë ngarkuar gabimisht në sistem gjatë aplikimit për të përfituar nga kjo pako.

Bislimi tregon se, një masë e punëtorëve i kanë marrë kompensimet të premten e javës së kaluar, kurse pjesa tjetër, sipas tij, do të paguhet sot.

Sipas tij, disa kërkesa janë me vonesë dhe do të trajtohen në pjesën e dytë të aplikimeve.

Po ashtu, komisioni i përbashkët Administratës Tatimore të Kosovës dhe MEPTINIS-it, i mandatuar me Vendimin 32/2020 nga Ministria e Financave dhe Transfereve, është duke i shqyrtuar kërkesat e tatimpaguesve, të cilët kanë aplikuar për të përfituar nga Pako Fiskale Emergjente.

Me këtë rast, ky komision njofton se tani mund të dërgoni kërkesat për korrigjime, nëse keni vërejtur se gjatë aplikimit për të përfituar në njërën nga masat 3a, 3b, 7, 8 dhe 14 të Pakos Fiskale Emergjent, u është përvjedhur ndonjë gabim i paqëllimshëm.

Me qëllim të mos përhapjes së pandemisë COVID-19, Qeveria në detyrë e Kosovës nga 13 marsi ka marrë vendim për mbylljen e shumë bizneseve në vend.

Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve është miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë euro, e cila duhet të zbatohet nga ATK-ja.

Exit mobile version