Çështja e kategorive të dala nga lufta u riaktualizua kohëve të fundit pas protestës së veteranëve të hënën.
Ish-luftëtarët e UÇK-së po kërkojnë që lartësia e pensioneve të tyre të mos jetë nën pagën minimale, çka me Ligjin e ri të sjellë nga Qeveria në Kuvend, ka shumë gjasa të ndodhë kjo, shkruan lajmi.net.
Kjo për arsyen se në Ligjin për Rritjen e Pagës minimale në Kosovë, nuk parashihet rritja e pensioneve për veteranët, dhe deri sot, këto dy forma përfitimi kanë shkuar paralelisht me njëra tjetrën edhe në bazë të dispozitave ligjore.
Sidoqoftë, veteranët muaj për muaj, nga shteti marrin miliona euro në formë pensionesh.
Sipas statistikave të cilat lajmi.net ka marrë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, bëhet e ditur se për pesë muaj, për pensionet e veteranëve u dhanë mbi 34 milionë euro.
Kësisoj, në muajin janar ishin 36 mijë e 841 veteranë përfitues, në shkurt 37 mijë e 15 përfitues, në mars 37 mijë e gjashtë përfitues, në prill 36 mijë e 899 përfitues, në maj 36 mijë e 907 përfitues.
Ndërkaq, në janar u shpenzuan mbi 6 milionë e 150 mijë euro, në shkurt 6 milionë e 182 mijë euro, në mars 6 milionë e 179 mijë euro, në prill 9 milionë e 853 mijë euro, në maj 6 milionë e 161 mijë euro.
E në total, për këta pesë muaj janë shpenzuar 34 milionë e 528 mijë e 228 euro për veteranët.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shkaktuar reagime të ashpra me një deklaratë të dhënë para disa ditësh për shumën që shpenzohet nga buxheti i shtetit për veteranët përgjatë një viti.
Murati ka thënë se 80 milionë euro në vit shkojnë për këtë kategori, dhe duke parë këtë trend, sipas tij duhet të pastrohen listat.
‘’Ndërlidhja me pagën minimale ka qenë me Nenin 18. Vullneti politik atëherë ka qenë që të bëhet kjo këputje. Pagesa për veteranët është 80 milionë euro në vit. Nga perspektiva e një veterani mund të duket që shteti po jep pak për ta, por shteti po jep 80 milionë euro. Veteranit i kanë hy në hise disa të tjerë që nuk janë veteranë. Duhet t’u bëhet një pastrim listave. Duhet t’i trajtojmë drejt ata që kanë luftu, e kanë marrë pushkën, e kanë marrë guximin’’, tha Murati.
Nga Organizata e Veteranëve të Luftës ndërkaq kanë paralajmëruar se nëse Qeveria insiston në projektligjin aktual, atëherë ata nuk do të ndalen së organizuari protesta në shenjë pakënaqësie.