Rritja e numrit të rasteve me coronavirus ditëve të fundit, ka bërë që 14 shkolla në Kosovë të mbyllen kurse mësimi të zhvillohet online, pasi që shumë nxënës dhe mësimdhënës janë prekur nga ky virus.
Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, 130 nxënës janë infektuar me COVID-19 kurse numri i mësimdhënësve të prekur nga ky virus është 148.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Diellza Kukaj, zëdhënëse në MASH njëherit edhe këshilltare e ministrit Ramë Likaj.
“Nga raporti i fundit i inspektoratit të arsimit për regjistrimin e rasteve me COVID-19 në shkolla gjatë periudhës 19 – 23.10.2020 në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës janë raportuar gjithsejtë 130 nxënës të infektuar dhe 148 mësimdhënës të infektuar. Komuna me më së shumti raste të të infektuarve është Prishtina”, ka thënë Kukaj.
Ajo ka shtuar se deri më tani shkollat janë duke i respektuar udhëzimet e MASH, MSH, dhe IKSHPK.
“Përkatësisht, po operojnë bazuar në udhëzuesin e përgjithshëm të MASh për organizimin e mësimit në kushte pandemie, dhe protokollin e reagimit ndaj pandemisëCOVID-19. Shkollat nuk po mbyllen, por mësimi po organizohet konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tre skenarëve bazuar në gjendjen me virus. Mësimi online dhe aj nga distancë janë në dispozicion për nxënësit të cilët aktualisht po mbajnë mësimin sipas skenarit C dhe atij të kombinuar B”, është shprehur Kukaj.
Sipas saj shkollat të cilat janë duke organizuar mësimin sipas skenarit C janë gjithsejtë 14.
“Në Istog 1 shkollë, Pejë 1 gjimnaz dhe 1 SHFMU, Prishtinë 3 shkolla dhe Lipjan 8 shkolla”, ka thënë Kukaj.
Kosova pikun e pandemisë e ka arritur në muajt korrik e gusht, derisa më pas numri i të infektuarve ka shkuar duke shënuar rënie. Por, në tre javët e fundit në Kosovë është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të të infektuarve me coronavirus.