Autoritetet amerikane kanë mbyllur portin e hyrjes në Del Rio të Teksasit, pasi më shumë se 12,000 migrantë nga Haiti kërkuan azil, dhe administrata e Presidentit Biden po i rikthen ata me avionë, një nga operacionet më të shpejta të rikthimit të migrantëve në shkallë të gjerë në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Porti hyrës i kufirit SHBA-Meksikë në Del Rio të Teksasit vazhdon të jetë i mbyllur, ndërsa mbi 12,000 migrantë kryesisht nga Haiti janë mbledhur në territorin amerikan, nën Urën Ndërkombëtare të Del Rios.
“Të dielën kishim një valë prej rreth 14 mijë migrantësh. Pas bllokimit të disa zonave në brigjet e lumit, numri i tyre ra në rreth 12 mijë”, thotë Jon Ansfinsen nga Unioni i Patrullës kufitare të Shteteve të Bashkuara.
Për disa ditë, autoritetet amerikane kanë punuar për të zhvendosur migrantët nga ura dhe nga objektet e nxehta të përpunimit të tyre, ku autoritetet përcaktojnë se kush mund të aplikojë për azil dhe kush do të kthehet në Haiti.
Shumë nga haitianët që arritën në Teksas thonë se kanë jetuar në Brazil dhe Kili, disa prej tyre që nga viti 2010, kur një tërmet i fortë goditi Haitin. Ata morën udhëtimin e gjatë drejt Shteteve të Bashkuara, të inkurajuar nga njoftimet që kishin dëgjuar nga të tjerët se tani ishte koha ideale për të provuar të kalonin kufirin.
Një migrant haitian tha se kishte kaluar disa muaj në Meksikë, në kufirin me Guatemalën, ku po mbahej nga qeveria meksikane.
“Është shumë e vështirë për mua. Kam kaluar dy muaj pa punë, pa asgjë për të ngrënë”, thotë Jean, një migrant nga Haiti.
Në javët e fundit, ura është shndërruar në një pikë grumbullimi për migrantët që kalojnë lumin Rio Grande, ndërsa agjentët e Patrullës Kufitare përpiqen të menaxhojnë fluksin masiv.
“Agjentët në sektorin e Del Rios nuk kanë qenë në gjendje të patrullojnë në terren siç duhet për disa muaj sepse ne të gjithë jemi brenda duke procesuar migrantët, duke u kujdesur për fëmijët që janë në qendrat tona të ndalimit”, thotë Jon Anfinsen nga Unioni i Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara.
Disa banorë vendas thonë se numri i madh i migrantëve po i shqetëson ata.
“Jemi të shqetësuar nga mundësia e trazirave pasi kemi mbi 20 mijë njerëz nën urë, sa gjysma e popullsisë së Del Rios, një qytet me 45 mijë banorë”, thotë Peggy Duran, banore e Del Rios.
Guerline Jozef, e cila punon me organizatën Aleanca e Urës Haitiane, që mbështet migrantët, thotë se haitianët po respektojnë ligjin.
“Kam dëgjuar disa njerëz që thonë se ata po vijnë këtu ilegalisht. Jo. Ata kanë të drejtë ligjore për të ardhur dhe për të kërkuar azil. Ata po bëjnë këtë, por ajo që po ndodh është se Shtetet e Bashkuara po ua refuzojnë atyre qasjen në këtë mbrojtje”, thotë ajo.
Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar më shumë se 3,000 migrantë haitianë dhe kanë planifikuar më shumë fluturime në ditët e ardhshme. Disa po e quajnë këtë një nga operacionet më të shpejta të dëbimit në shkallë të gjerë të emigrantëve në historinë e Shteteve të Bashkuara. Por Haiti, me tërmetin e tij të fundit dhe trazirat politike, nuk është në gjendje të kujdeset për qytetarët e kthyer, thonë aktivistëtqë mbështesin emigrantët.
Për migrantët haitianë, dëbimi pas arritjes së tyre në Teksas ka qenë shumë i rëndë.
“Udhëtimi për të arritur në SHBA ishte i vështirë. Ata na dëbuan. Fatkeqësisht, ata nuk na lanë të merrnim gjërat tona. Na trajtuan si të burgosur, nuk na dhanë ushqim, asgjë”, thotë Dieudonne Cassagne, një migrant i dëbuar haitian.
Atyre që kthehen në Haiti u jepen 100 dollarë, ëndrra e tyre për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara tashmë duket se ka mbaruar. /voa