Mbi 100 pacientë të lënduar rëndë nga zjarri në lokalin e natës në Koçan të Maqedonisë së Veriut po trajtohen jashtë vendit, ndërsa 12 prej tyre janë në Türkiye, raporton Anadolu.

Sipas informacionit të përpiluar nga uebfaqja e Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, 115 pacientë nga rasti tragjik në Koçan trajtohen në 14 shtete, në mesin e të cilëve edhe të rajonit.
Përveç Türkiyes, sipas ministrisë, pacientët trajtohen në spitalet e Serbisë, Bullgarisë, Greqisë, Sllovenisë, Kroacisë, Italisë, Spanjës, Austrisë, Belgjikës, Lituanisë, Suedisë, Hungarisë dhe Polonisë.
Në Türkiye trajtohen 12, ndërsa në Serbi 30 pacientë, në Bullgari 15, në Greqi 12, në Slloveni 4, në Kroaci 5, në Itali 4, në Austri 6, në Belgjikë 4, në Lituani 4, në Suedi 4, në Hungari 6, në Poloni 2 dhe në Spanjë 7.
Në orët e para të 16 marsit, në një lokal nate në Koçani në një ngjarje argëtimi nga një grup muzikor shpërtheu një zjarr nga shkëndijat e mjeteve piroteknike, duke çuar në vdekjen e 59 personave dhe rreth 178 të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas autoriteteve të vendit, lokali që u përfshi nga zjarri së fundmi ka vepruar me “licencë të falsifikuar”, megjithëse edhe më herët me vite ka vepruar pa i plotësuar dhe pa i zbatuar kushtet dhe rregulloret e kërkuara sipas standardeve për klub nate.
Pas incidentit, procedurë hetimore është hapur për 34 persona.
Duke filluar nga e hëna, Maqedonia e Veriut ka shpallur shtatë ditë zie për tragjedinë në Koçani.