Pak më tepër se një javë që prej gjetjes së trupit të Sheila Abdus-Salaam-it në bregun e lumit Hudson në Nju-Jork, vdekja e saj mbetet ende një enigmë.
Policia amerikane dhe bashkëshorti i së ndjerës 65-vjeçare, gjykatëses së parë muslimane në SHBA, kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve në përpjekje për të gjetur arsyet e vdekjes së saj.
Rasti është trajtuar si një vetëvrasje, edhe pse policia u deklaroi gazetarëve më 13 prill se në trupin e së vdekurës nuk kishte shenja lëndimi apo traume, ashtu siç u shpreh më 18 prill se nuk kishte shenja vetëvrasjeje.
Një riklasifikim i vdekjes së gjykatëses e përcakton atë si një vdekje të dyshimtë. Vetë bashkëshorti i saj, Gregory Jacobs, nuk pranon që të bëhet fjalë për një vetëvrasje.
“Ata nga ne që e deshën Sheila-n dhe e njihnin mirë atë nuk besojnë se këto përfundime të pambështetura kanë ndonjë bazë në realitet,” lexohej në një deklaratë të shkruar prej tij.
Trupi i gjykatëses Sheila Abdus-Salaam u gjet më 12 prill në bregun e lumit pranë shtëpisë së saj në Manhatan vetëm një ditë pasi u deklarua e humbur.