Krerët e misionit ndërkombëtar në Bangladesh njoftuan se janë të vendosur për të vazhduar mbështetjen që kanë dhënë për muslimanët e Arakanit
Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga delegacioni ndërkombëtar i përbërë nga ambasadorët e SHBA-së dhe Japonisë në Dhaka si dhe diplomatët e Komisionarit të Lartë të Australisë në Dhaka, thuhet se janë zhvilluar takime me zyrtarë të Bangladeshit dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës për të shkëmbyer pikëpamjet për çështjet lidhur me qytetarët e Arakanit që qëndrojnë në kampet në Cox’s Bazar.
“Mbështetja ndaj muslimanëve të Arakanit do të vazhdojë”, thuhet në deklaratën në të cilën informohet se për punimet e ndihmës humanitare në rajon SHBA-ja ka kontribuar me 1.2 miliardë dollarë, Australia me 240 milionë dollarë dhe Japonia me 140 milionë dollarë.
Në deklaratë theksohet se delegacioni vizitoi kampet ku qëndrojnë qytetarët e Arakanit dhe se morën informacione rreth programeve të ushqimit dhe projektit përgatitor për qendrën arsimore, shëndetësore dhe të fatkeqësive.
Delegacioni është informuar rreth masave kundër COVID-19 për ata që qëndrojnë në kampe dhe se janë zhvilluar takime me qytetarët e Arakanit.
Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Në vitin 2012 në Arakan u shfaqën konflikte mes budistëve dhe muslimanëve ku si pasojë e ngjarjeve, mijëra persona nga të cilët shumica muslimanë, u masakruan dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën.
Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme më 25 gusht 2017 në stacionet kufitare në Arakan.
Sipas OKB-së, që nga gushti i vitit 2017 e deri tani, ka arritur në 900 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë treguar se qindra fshatra janë shkatërruar.
Agjencitë e OKB-së dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e cilësojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid” dhunën ndaj muslimanëve të Arakanit./AA