Mbarëvajtja e zgjedhjeve, institucionet zotohen për bashkëpunim

Institucionet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit te zgjedhjeve te jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, nënshkruan të premten memorandum bashkëpunimi, me të cilin do t’i koordinojnë veprimet për një proces të lirë zgjedhor.

Me këtë rast, përfaqësues të institucioneve përkatëse apeluan subjektet politike dhe qytetarët e Republikës të Kosovës që të respektojnë gjitha rregullat zgjedhore që janë në fuqi.Aty u apelua që të mos që të mos fotografohet vota dhe për çdo rast të shkeljes së mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të raportohen shkeljet e identifikuara.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u zotua se do të përmbushin të gjitha detyrimet në funksion të arritjes së direktivave të përbashkëta.“I ftoj të gjitha subjektet politike dhe të gjithë ata që kanë rol në këto zgjedhje që t’i përmbahen ligjit, rregullave zgjedhore që janë në fuqi”, u shpreh ajo.

Prokurorja Laura Pula tha se sistemi prokurorial ka finalizuar të gjitha procedurat për të operuar së bashku me Policinë e Kosovës për të mbrojtur votën e qytetarëve.“Kushdo që cenon votën e lirë të qytetarit, kushdo që sheh parregullsi në procesin zgjedhor është i detyruar të raportojë. Jemi gardianë të mbrojtjes së votës së lirë. Kushdo që fotografon votën do të arrestohet. Kemi raste të dënimit të njerëzve që kanë fotografuar votën. Kishte me qenë mirë që në zgjedhje të mos hasim në këso raste, as në postime në Facebook sepse do të bëhen cak i hetimeve”, tha ajo.Edhe Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës bëri të ditur se kanë caktuar 30 gjyqtarë që do të kujdestarojnë më 14 shkurt, ditën e zgjedhjeve.

Nga Policia e Kosovës, Arbnesh Ajvazi bëri te ditur se kanë ndërmarrë të gjitha masat preventive dhe operative për ditën e zgjedhjeve.Drejtori ekzekutiv i KPM, Luan Latifi, tha se do të monitorojnë mediat deri në ditën e zgjedhjeve. Ai ftoi mediat që të raportojnë në mënyrë të drejtë dhe pa bërë shkelje.

“Objekt monitorimi janë lajmet, spotet televizive. Ne kemi filluar monitorimin 1 javë para se të fillojë procesi zgjedhor. Për shkelje para fushatës zgjedhore kemi identifikuar 5 televizione, kemi pasur edhe 8 raste tjera të cilat janë sanksionuar me gjobë, ku dy prej tyre ishin televizione lokale”, tha ai.

Florent Spahija nga Demokracia ne Veprim tha se këtë vit do të kenë numër më të vogël të vëzhguesve në teren.

“Nga 2 mijë e 500 vëzhgues nga zgjedhjet e kaluara kësaj radhe do të kemi vetëm 500, do të thotë nuk do të mbulojmë të gjitha qendrat e votimit.

Ajo që është e rëndësishme, është që DnV do të ketë një qendër ku do të grumbullohen të gjitha informatat që vijnë nga tereni”, u shpreh ai.