Mbappe vendos për fitoren e Realit

Skuadra e Real Madridit nuk ka dëshpëruar në ndeshjen që i takoi javës së 29-të të La Ligas.

Reali të shtunën në mbrëmje e mposhti Leganesin në shtëpi me rezultatin 3:2.

Në fitoren e Realit shkëlqeu sërish sulmuesi francez, Kylian Mbappe, i cili i realizoi dy gola.

26-vjeçari Mbappe në 44 ndeshjet e zhvilluara deri më tani ka kontribuar me 32 gola dhe katër asistime.

Fillimisht Mbappe i kaloi në epërsi vendësit në minutën e 32-të. Francezi ishte i saktë nga pika e bardhë.

Një minutë më pas, mysafirët i barazuan shifrat me golin që e shënoi Diego Garcia në minutën e 33-të.

Dani Raba e kaloi në epërsi Leganesin në minutën e 41-të. Spanjolli Raba realizoi për 2:1.

Me fillimin e pjesës së dytë, Reali e barazoi shpejtë rezultatin.

Jude Bellingham realizoi për 2:2.

Mbappe në minutën e 76-të shënoi gol të bukur nga distanca për t’i siguruar tre pikët skuadrës së “Los Blancos”.

Reali mbetet në pozitën e dytë me 63 pikë.

Lidere është Barcelona me pikë të njëjta, por e ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.

Atletico Madridi është në pozitën e tretë me 57 pikë.

Leganesi e zë vendin e 18-të me 27 pikë. Po lufton për mbetje në ligë.