Një dritë në fund të tunelit. Paris Saint Germain do të marrë 80 milionë euro për kalimin e fazës së grupeve në Champions League, ku doli i pari në grupin e “ferrit”, duke lënë pas krahëve Liverpoolin , Napolin dhe Crvena Zvezdan, shkruan supersport.
Ky lajm ka gëzuar pamasë tifozët e klubit francez, por gjithashtu dhe drejtuesit, me skuadrën që duhet të derdhë në arkat e saj 170 milionë euro për të rregulluar bilancin, në mënyrë që të jetë pjesë e Champions sezonin e ardhshëm.
Pas shpenzimeve të çmendura gjatë merkatove të kaluara, ku vetëm për Neymar dhe Mbappé u shpenzuan 400 milionë euro, u përfol shumë se parizienët do të ishin të detyruar të shisnin një prej dy yjeve të tyre. Zgjedhja e PSG sigurisht do të ishte 20-vjeçari, i cili u shpall kampion bote me Francën, me brazilianin Neymar që me shumë mundësi mund të rikthehet tek Barcelona ose të transferohet tek Reali i Madridit.
Tashmë, me kalimin e kohës situata mund të ketë një zgjidhje, dhe ekipi i drejtuar nga Thomas Tuchel nuk do të ketë asnjë arsye pse të shesë lojtarët kryesorë, për të zgjidhur problemet me UEFA-n.
Deri më tani, PSG renditet në vendin e parë në kampionat, me 47 pikë të grumbulluara në 17 takime të luajtura. Me kampionatin që duket “praktikisht” në xhep, mbetet për tu parë nëse kryeqytetasit do të shkojnë larg edhe në Champions, ëndrra e madhe e presidentit Al-Khelaifi.