Departamenti i Gruas i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me Medresenë “Alaudin” dhe me Fakultetin e Studimeve Islame, të enjten me datë 30 janar 2020, për nder të Ditës Botërore të Shamisë, organizoi tribunën me temën “Mbulesa – identiteti, krenaria dhe zgjedhja jonë”, në të cilën të ftuara ishin znj. Besa Ismaili Ahmeti, deputete, njëherësh profesoreshë në Fakultetin e Studimeve Islame, znj. Gyltene Dërguti, psikologe dhe znj. Azemine Kukaj Kajoshi, biologe.
Fillimisht para të pranishmeve u lexua një pjesë nga Kurani fisnik, për të vazhduar më pas me fjalën përshëndetëse të drejtueses së Departamentit të Gruas në BIK, znj. Vaxhide Bunjaku, e cila në fjalën e saj fokus të veçantë i kushtoi dashurisë që duhet ta ndjej një femër ndaj mbulesës. “Dashurinë që arriti një femër ta ketë për mbulesën, bëri që ajo sot ta marrë vendimin më të duhur për bartjen e saj, ani pse ajo e dinte fare mirë se në vendin tonë nuk do t’i arrinte të drejtat e saj të merituara. Ndonëse ato që bartin mbulesën nuk e kanë fatin e njëjtë e femrat e tjera, disa prej tyre hasin në vështirësitë shtesë, ato të stigmës institucionale, shoqërore apo edhe familjare, ngase dikush nënçmohet nga familja, të tjerat diskriminohen në punësim, disa largohen nga shkolla, por pavarësisht të gjitha këtyre sfidave, mbulesa konsiderohet si zgjedhje personale që tregon qartë dinjitetin, dashurinë dhe vullnetin e femrës,” tha ndër të tjerash drejtuesja e Departamentit të Gruas së BIK, znj. Vaxhide Bunjaku.
Duke folur rreth mbulesës, profesoresha Besa Ismaili Ahmeti, u shpreh se: “Mbulesa ime përfaqëson udhëtimin tim tërë jetësor. Unë mbulesës sime i kam ndërtuar paraprakisht një themel të fuqishëm. Këtë ma ka mundësuar edukata e prindërve të mi. Mbi ato themele kam ngritur mure të larta e të qëndrueshme. Kam vënë standarde, jo që të tjerat mos t’i arrijnë, por t’i kapërcejnë ato, e të ecin tutje.”
Rreth ndjenjave dhe përjetimeve që i ka dhënë mbulesa, znj. Gyltene Dërguti tha se asnjëherë nuk është ndjerë ndryshe, as kur ka dalë në rrugë, e as kur ka hy në institucione. “Me shaminë time asnjëherë nuk jam ndjerë ndryshe, as kur kam dalë në rrugë, e as kur kam hy në institucione. Unë jam ndjerë ndryshe kur kam qenë në shtëpi. Krahas punëve shtëpiake i kam kërkuar vetes të lexoj, ta zhvilloj veten profesionalisht që ta dërgoj në vend urdhrin “lexo”, që me të t’i ofroj shërbim vendim tim.”
Ndërsa znj. Azemine Kukaj para të pranishmeve foli shkurtimisht rreth sfidave dhe kënaqësive që ka mbulesa. “Në jetë njeriu ka sfida, por ka edhe kënaqësi. Ajo që më mban të fortë në rrugëtimin tim është fakti që të gjithë jemi krijuar për të përmbushur një mision nga Zoti. Amanetin që të jemi në shërbim të njerëzimit dhe lënia e gjurmëve pas të cilave dikush do të rrugëtojë sigurt, është sfida të cilën e kam pranuar dhe ndihem krenare,” tha ajo.
Gjatë programit për të pranishmet u dha edhe një dokumentar i shkurtër rreth punonjëseve të Bashkësisë Islame dhe të institucioneve të saj, Medresesë “Alaudin” dhe Fakultetit të Studimeve Islame, si dhe u kënduan ilahi dhe monolog nga nxënëset e Medresesë “Alaudin” të Prishtinës.