Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mbahet sërish protestë para Bashkisë së Tiranës

Mbahet sërish protestë para Bashkisë së Tiranës

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës” dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, raporton Anadolu.

Protesta e radhës e mbajtur në vazhdën e protestave të njëjta në muajit e fundit është organizuar nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë para selisë së Bashkisë së Tiranës.

Në fjalimet e tyre, përfaqësuesit e organizatorëve të protestës kanë theksuar se “betejën e tyre do të çojnë deri në fund”.

Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, gjatë fjalës në protestë u shpreh se duhet të vazhdojnë protestën.

“Është koha që ta rikthejmë Shqipërinë në shinat e demokracisë. Shqipëria është ndryshe dhe do të votojë ndryshe. Garantoj që asnjë protestues nuk do të lihet vetëm”, tha Balliu.

Balliu u shpreh se “kjo është një betejë dhe sakrificë” që e kanë nisur bashkë me protestuesit dhe sipas tij do ta mbyllin bashkë me protestuesit.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë të Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, në fjalën e tij u shpreh se fitorja e tyre është e sigurt.

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore para godinës së Bashkisë së Tiranës, ndërkohë nuk u shënuan tensione.

Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.

Exit mobile version