Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës (BIRK) dhe Medreseja “Alaudin” në Prishtinë organizojnë konferencën shkencore me titull “Medreseja “Alaudin” e Prishtinës – 65 vjet në shërbim të arsimit fetar dhe kombëtar”. Hapja solemne e konferencës u bë me këndimin e himnit të Kosovës dhe atij kombëtar, si dhe me leximin e një pjese nga Kurani fisnik, të cilën e lexoi nxënësi Uvjes Haxhiu. Në këtë ngjarje morën pjesë Myftiu i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, ish presidenti i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skender Bruçaj, Myftiu i Bashkësisë Islame të Sanxhakut, Mevlud Dudiq, përfaqësuesi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, njëherësh edhe dekan i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, prof. dr. Fahredin Ebibi, përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Omer Kajoshaj, parlamentarë, ministra, pedagogë të Medresesë “Alaudin”, studiues, efendilerë dhe shumë personalitete të jetës politike, kulturore etj.
Mirëseardhje mysafirëve u dëshiroi drejtori për shtyp dhe veprimtari botuese, Ahmet ef. Sadriu, i cili bëri lutje që ky manifestim të pranohet në radhën e punëve dhe veprave të mira. Ky është një përvjetor tepër i rëndësishëm i punës dhe aktivitetit të Medresesë “Alaudin”, e cila është një nga institucionet tona më të rëndësishme arsimore, fetare islame dhe kombëtare. Kjo konferencë po organizohet me qëllim të njohjes sa më të mirë dhe ndriçimit të rolit të Medresesë, dhe këtë më së miri do ta paraqesin studiuesit gjatë kësaj konference, të cilët janë nga tërë trojet shqiptare, e që kumtesat e tyre do t’i paraqesin gjatë dy ditëve në vijim.
Në fjalën përshëndetëse, myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava theksoi se ka nderim që sot para jush t’u drejtohet në këtë manifestim jubilar kushtuar 65 vjetorit të Medresesë “Alaudin”, kësaj vatre të edukimit dhe arsimimit fetar dhe kombëtar. Prandaj, më lejoni fillimisht që me respekt t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj në emër të Kryesisë së BIRK-ut, në emër të institucioneve dhe organeve të saj, si dhe në emrin tim personal për praninë tuaj në këtë përvjetor të rëndësishëm. “Medresetë tona ishin pjesë e pandarë e jetës publike, të cilat qëndronin mbi baza intelektuale dhe që rrënjët i kishin te feja islame. Ato vazhduan të funksionojnë, cila më shumë e cila më pak, për një periudhë disa shekullore, saktësisht deri në vitin 1948, kur u mbyllën të gjitha medresetë e deriatëhershme përfundimisht nga sistemi komunist, dhe se Medreseja e Prishtinës, përveç se shënon një nga hapat më të rëndësishëm të Bashkësisë Islame të Kosovës, ajo u bë edhe një urë lidhëse mes medreseve klasike dhe medresesë së mesme, tashmë të reformuar sipas kërkesave dhe nevojave të kohës.
Medreseja “Alaudin”, sikurse u tha, misionin e saj e nisi në vitet ’50 të shekullit të kaluar, dhe për dekada të tëra ishte e vetmja vatër e arsimit fetar, që shqiptarëve ua mësonte fenë në gjuhën shqipe, ua mësonte dashurinë ndaj Zotit, dashurinë ndaj vatanit-atdheut. Këtë mision, medreseja e vazhdoi me sukses deri në ditët e sotme, gjithnjë duke i tejkaluar sfidat me të cilat u përballë gjatë sistemit monist dhe riokupimit të Kosovës nga Serbia, si dhe sfidave e problemeve që lidhen me natyrën e punës dhe veprimtarisë së një institucioni shkollor.
Medreseja e Prishtinës gjatë dekadave të punës dhe veprimtarisë së saj ka dhënë dhe vazhdon të jap kontribut të jashtëzakonshëm në përgatitjen e ulemave të rinj, të kuadrit fetar e drejtuesve shpirtëror të popullit tanë, dhe në formimin e përgjithshëm kulturor të popullit, në edukimin moral, qytetar e atdhetar të brezave të rinj dhe në rrënjosjen e dashurisë për dije e përparim. Këtu u formuan imamët, hatibët, myderrizët, mualimët dhe prijësit islam, të cilët u vunë në shërbim të jetës fetare islame, jo vetëm në nivel vendi, por edhe më gjerë. Sikurse dihet, medresenë e Prishtinës nuk e kanë ndjekur vetëm nxënësit nga Kosova, por madje vitet e para, edhe nxënësit nga Maqedonia, Mali i Zi, Sanxhaku, Kosova Lindore, e më vonë edhe nga Shqipëria. Kurse, veprimtarë të jetës fetare e kombëtare nga ish nxënësit e medresesë ka gjithandej nëpër trojet tona etnike e të copëtuara shqiptare, në diasporën shqiptare, dhe jo vetëm kaq, por medreseja e Prishtinës ishte paraprijëse e denjë e Medresesë së Mesme “Isa Begu” në Shkup, medresesë së Novi Pazarit dhe Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.
Myftiu Tërnava më tej theksoi se, me një mirënjohje të veçantë sot nderojmë të gjithë drejtuesit, pedagogët, nxënësit dhe të gjithë ata që me angazhimin, punën, përkushtimin, sakrificën, dijen dhe kontributin e tyre punuan në themelimin, ngritjen, rritjen dhe zhvillimin e medresesë, duke e bërë atë një qendër të rëndësisë së veçantë të edukimit dhe arsimit, e cila jetoi e bashkëlidhur dhe e pandarë me fatin e popullit dhe të vendit tonë.
Nderojmë dhe u jemi mirënjohës myderrizëve të parë, hafëz Bajram ef Aganit, hafëz Isak ef. Saidit, Ahmet ef. Mustafës, Rashid ef. Osmanit, hafëz Ismail Haki ef. Ustaibo, hafëz Muharrem ef. Adilit, Hasan ef. Nahit, Sherif ef. Ahmetit, Sadri ef. Prestreshit, mësuesit të parë në gjuhës shqipe në medrese dhe veteranit të arsimit Haki Krasniqit, si dhe të gjithë të tjerëve që në rrethana jo shumë të favorshme e vunë medresenë në themelet e shëndosha, e cila edhe sot vazhdon të jap frytet e saj. Më pastaj, respekt dhe mirënjohje për të gjithë drejtuesit, pedagogët dhe punonjësit e tjerë të brezave të mëvonshëm të kësaj shkolle, që vazhduan punën ashtu siç e kishin nisur myderrizët e brezit të parë.
Pas Myftiut Tërnava, një fjalë rasti mbajti edhe ish presidenti i Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, i cili vuri në pah rolin fetar dhe kombëtar që ka luajtur Medreseja “Alaudin” gjatë gjashtë dekadave të kaluara. “Kjo shkollë e bazuar në projektin e saj ka dhënë njerëz të dijes, njerëz që iu kanë dashtë dhe i duhen Kosovës edhe më tej.
Më vjen mirë dhe këtë e them nga praktika se kam parë shumë studentë, që kanë dal nga kjo medrese dhe që kanë qenë student të shkëlqyeshëm dhe kam pas kureshtjen që shpeshherë të shtyhem me ta dhe të bëjmë garë, sidomos në çështjet e drejtësisë. Medreseja është institucion i respektit të madh. Ajo ishte një strehë mbështetëse për institucionet dhe projektin e lirisë. Shpresoj dhe uroj që të ecni edhe më tej në zhvillimin e vendit tonë të dashur dhe të botës sonë të përbashkët” theksoi mes tjerash z. Sejdiu.
Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skender Bruçaj, i cili nënvizoi se ky përvjetor i Medresesë “Alaudin”, e cila është një nga medresetë më me vlerë në trojet shqiptare, e cila për shumë dekada solli qytetërimin e zhvillimin, kulturën e dijen në këto toka të bekuara. Kjo shkollë për shumë kohë u bë vatër edukimi, mësimi, besimi e vatër atdhedashurie. Sot pas shumë dekadash pune e sakrifice, të gjithë jemi krenar për arritjet dhe sukseset e Medresesë “Alaudin” dhe njëkohësisht të gjitha medreseve tjera në trojet shqiptare.
Në emër të Bashkësisë Islame të Maqedonisë këtë manifestim e përshëndeti dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, prof. dr. Faredin Ebibi, i cili si një ish nxënës i kësaj medreseje nënvizoi se këtë vatër e llogaris si një nga qendrat më të rëndësishme për kombin tonë. Në këtë vatër zuri fill tradita e interpretimit të njohurive fetare islame në gjuhën shqipe. Unë kurrë nuk kam pushuar së qenët krenar për faktin se jam një ish nxënës i kësaj medreseje dhe prej gjeneratave të para që dolën nga kjo medrese, dhe me epitet kujtoj mundin e profesorëve tanë, të cilët në kushte shumë të rënda u përpoqën që të nxjerrin kuadro me të cilët do të mburrej mbarë kombi shqiptarë.
Myftiu i Bashkësisë Islame të Sanxhakut, Mevlud Dudiq, si një ish nxënës i kësaj shkolle iu drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe edhe pse ishte e vështirë për të, gjë që krijoi një ndjenjë të mirë në sallë. Kjo ceremoni dallon prej ceremonive tjera, për faktin se Medreseja “Alaudin” është shkollë e veçantë dhe ndër shkollat më elitare në Kosovë. “Medreseja është ruajtëse e identitetit fetar dhe kombëtar të myslimanëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Sanxhakut. Kjo shkollë ka qenë shtëpia e dytë për boshnjakët e Sanxhakut. Fal Allahut, pastaj Medresesë “Alaudin” feja islame po ruhet në Sanxhak. Kur u regjistrova në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë, më 1981, nxënësit më thoshin se nuk mundesh me qenë mysliman nëse nuk flet gjuhën shqipe, ku në mesin e tonë ishin tre nxënës në mesin e 40 tjerëve që ishin shqiptarë, por profesorët dhe nxënësit shqiptarë silleshin mirë ndaj nesh dhe ne nuk e ndjenim mungesën e familjes në këtë institucion”, theksoi Myftiu Dudiq, duke përfunduar se sot 40 nxënës kanë dal nga ky institucion, ku prej tyre janë katër doktor shkence.