Protestat studentore dhe qytetare “Ndalo, Serbi” janë mbajtur sot duke filluar nga ora 11:52 në gjithë Serbinë dhe në disa lokacione në Beograd, raporton Anadolu.
Disa mijëra qytetarë u mblodhën për të nderuar viktimat e aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, i cili ndodhi në orën 11:52 më 1 nëntor.
Studentët në Beograd u mblodhën sërish këtë të premte për të mbështetur nxënësit e shkollave të mesme, pasi Qeveria e Serbisë mori vendim për shkurtimin e semestrit dhe fillimin e pushimeve dimërore një javë më herët.
– Solidariteti
“Nxënësit e shkollave të mesme i dhanë mbështetje të madhe përpjekjes sonë për realizimin e kërkesave dhe u solidarizuan. Tani është koha t’u qëndrojmë pranë”, thanë studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike.
Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Serbi, pushimet dimërore filluan më 24 dhjetor, ndonëse është dashur të fillojnë një javë më vonë. Dhjetëra shkolla të mesme në Serbi janë nën bllokadë. Nxënësit e vitit të fundit nuk kanë mbajtur mësim dhe kanë mbështetur kërkesat e studentëve për bllokimin e fakulteteve.
Më pas studentët zhvilluan një performancë të lënies së teksteve para Ministrisë së Arsimit për të mbështetur nxënësit e shkollave të mesme.
Kërkesat e studentëve janë publikimi i gjithë dokumentacionit për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, heqjen e akuzave ndaj studentëve, aktivistëve dhe qytetarëve të arrestuar dhe të ndaluar gjatë protestave për vdekjen e 15 personave në qytetin më të madh të Vojvodinës.
Ata gjithashtu kërkojnë ngritjen e kallëzimeve penale ndaj të gjithë sulmuesve ndaj studentëve, profesorëve dhe qytetarëve në tubimet dhe protestat e mëparshme përkujtimore.
Përveç Beogradit, protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera, përfshirë Nishin, Novi Sadin dhe Uzhicen.
– Protesta në Novi Sad
Në gjithë Novi Sadin, në kuadër të aksionit “Ndalo, Serbi” u mbajt një protestë 15-minutëshe, me të cilën u nderuan 15 jetët e humbura tragjikisht nga shembja e çatisë së stacionit hekurudhor.
Protestat e qytetarëve u zhvilluan në bllokimin e disa kryqëzimeve të qytetit, ndërsa maturantët patën tubimin e tyre marshues prej 15 minutash në sheshin “Liria”.
Qindra studentë, të cilët janë në protestën e bllokadës së fakultetit të Universitetit të Novi Sadit, kanë ecur në këmbë deri te ndërtesa e Radiotelevizionit të Vojvodinës, ku iu bashkuan një pjese të punonjësve të Institucionit Publik Mediatik të Vojvodinës, të cilët janë të pakënaqur me punën e medias së tyre mëmë në informimin e qytetarëve, duke kërkuar dorëheqjen e kryeredaktorit të programit të parë të RTV Vojvodina, Nenad Qaqiq.
– Drejtësi në interes të publikut
Thuhet se qytetarët e Vojvodinës, të cilët financojnë servisin publik JMU RTV përmes taksës, për shkak të një politike të tillë redaktuese kanë mbetur pa informim objektiv dhe gjithëpërfshirës, analizë të ngjarjeve, mendime të ekspertëve dhe përgjigjet nga institucionet kompetente.
“Një qëndrim i tillë është veçanërisht i turpshëm dhe joetik ndaj viktimave të tragjedisë dhe është në interes të publikut që drejtësia të vendoset”, thonë sindikatat e RTV Vojvodinës.
Në protestën para RTV-së, kryesisë së servisit publik të Vojvodinës iu bë me dije se nuk do të lejojnë më të injorohen protestat e qytetarëve dhe studentëve dhe ftuan të gjithë punonjësit e kësaj shtëpie mediatike t’u bashkohen në kërkesat e tyre.
Në prag të protestës, forca të shumta policore hynë në ndërtesën e RTV Vojvodinës në Misheluk me pajisje për të shpërndarë protestuesit, por protesta kaloi e qetë dhe policia nuk ndërhyri.