Kryeministri palestinez, Mohammad Mustafa dhe ministri i Punëve të Jashtme i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan, kanë diskutuar rëndësinë dhe vazhdimin e zbatimit të rezultateve të takimit të Aleancës Globale për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit palestinezo-izraelit, transmeton Anadolu.
Zyra e kryeministrit palestinez njoftoi se të dy zyrtarët në një bisedë diskutuan rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të monitoruar dhe zbatuar rezultatet e takimit të parë të Aleancës Globale të mërkurën në Riad për të ndjekur një zgjidhje me dy shtete.
Mustafa theksoi rëndësinë e qëndrimeve të unifikuara të mbrojtura nga takimi, duke përfshirë nevojën e armëpushimit, ndihmës humanitare, tërheqjes së forcave izraelite nga Rripi i Gazës duke i mundësuar Palestinës të marrë përgjegjësinë në enklavë, si dhe forcimin e lidhjeve midis Gazës dhe Bregut Perëndimor duke mbështetur agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) dhe duke hedhur poshtë vendimet e paligjshme izraelite për të ndaluar operacionet e agjencisë së OKB-së në Palestinë.
Më 28 tetor, parlamenti izraelit miratoi një projektligj që ndalon funksionimin e UNRWA-së, gjë e cila do të ndikojë në punën e saj në Gaza, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor. Ligji do të hyjë në fuqi pas 90 ditësh.
Agjencia, e themeluar nga një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 1949, ofron ndihmë dhe mbrojtje për refugjatët palestinezë në Jordani, Siri, Liban, Bregun Perëndimor dhe Gaza.
Ushtria izraelite vazhdon me një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Që atëherë, të paktën 43.160 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 101.500 të tjerë janë plagosur. Sulmet kanë shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij brutale ndaj Gazës.