Maturi

Hoxhë Justinian Topulli

Është shenjë e mirë që njerëzit kanë ndjeshmëri të lartë për Islamin dhe mbrojtjen e së vërtetës së tij dhe reagojnë masivisht, çka tregon një nga mënyrat sesi Allahu e ruan fenë e Tij mes njerëzve, por në anën tjetër mungesa shpesh e urtësisë, maturisë dhe reagimet e pakontrolluara kujt t’i vijë për mbarë dhe si t’i vijë, është shenjë jo e mirë.
Sigurisht në këtë gabim bien edhe ata që nuk duhet të bien, lerë pastaj të tjerët që nga “spektatorë” futen në fushë duke u kthyer në “lojtarë”! Dhe këta “lojtarë” të paautorizuar shpesh bëjnë më shumë dëm sesa dobi, ndaj gjithsecili duhet të mbajë vendin që i takon.
Të jesh i urtë e i mençur në një reagim dhe mbi të gjitha i drejtë dhe i saktë, është ndoshta nga gjërat më të vështira në marrëdhëniet me njerëzit, sidomos në publik. Sigurisht askush prej nesh nuk pretendon se i vjen shpallja dhe bën absolutisht më të mirën e mundshme në këtë drejtim, sepse kjo të ishte egoizëm i tepruar, por përpjekja për përmirësim dhe maturi duhet të jetë gjithmonë qëllim në vetvete dhe jo thjesht reagimi, sipas shembullit bjeri t’i biem…
Ndërkohë një ngjarje, shkarje dhe devijim kritikohet apo mbrohet nga masat shpesh në të njëjtën mënyrë të gabuar si vetë ato, disa përmes emocionit ekstrem linçues dhe të tjerë që e mbrojnë me të njëjtin patos emocional, pavarësisht se nga anon peshorja e pjesëmarrësve në këto “beteja virtuale”.
Një sugjerim apo këshillë do t’i jepnim të dyja palëve:
Të parëve
Feja e Allahut është garantuar se do të mbrohet dhe ruhet nga vetë Ai, kështu që mos ia kini dertin asaj se nuk humbet, ndaj mos kërkoni të bëni dhe merrni kompetencën e Tij. Dhe mos harroni se ka nevojë të reagoni apo bëhemi bashkë edhe për mjaft ligësi të tjera me të cilat përballemi çdo ditë dhe për fat të keq jemi mësuar të mos na bëjnë më përshtypje.
Të dytëve
Feja e Allahut është më e shtrenjtë dhe më parësore sesa miqësitë dhe dashuritë personale, qoftë kjo edhe me njerëzit më të afërm.
Zoti na udhëzoftë tek më e mira!

Hoxhë: Justinian Topulli

Exit mobile version