Mattis: Koreja e Veriut kërcënim më parësor për SHBA-të

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis ka deklaruar se për SHBA-të më parësor është kërcënimi i Koresë së Veriut me të cilën vazhdojnë negociatat për t’i dhënë fund programit të armëve bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, Mattis ka mbajtur një fjalim në forumin kombëtar Reagan në Kaliforni, ku në pyetjen se cilat nga vendet: Koreja e Veriut, Kina, Rusia apo Irani, përbëjnë më shumë kërcënim ndaj vendit të tij, Mattis u përgjigj: “Në aspektin e emergjencës Koreja e Veriut është problem”.

“Duhet ta trajtojmë këtë çështje. Kjo është një çështje urgjente. Prandaj janë vendimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të cilat janë miratuar me shumicë votash. Zonja, zotërinj sa herë mund të shihni që Kina, Franca, Britania e Madhe, Rusia, SHBA, dhe më shumë, kanë votuar njëzëri?”, tha Mattis në fjalën e tij.

Po ashtu Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka shtuar se në aspektin e fuqisë Rusia është kërcënimi më i madh, ndërsa në aspektin e vullnetit Kina.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, u takuan në Singapor më 12 qershor dhe pas samitit, të dy udhëheqësit ranë dakord për pastrimin e Koresë së Veriut nga armët bërthamore.