Mashtruan qytetarët se duhet bërë analizat në QKUK për koronavirus, policia i zë

Policia e Kosovës ka identifikuar personat që kishin shpërndarë një njoftim të rremë në emër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Të dyshuarit kishin shpërndarë një mesazh në rrjete sociale dhe në disa portale duke i bërë ftesë qytetarëve që të kryejnë analizat për koronavirus në QKUK, njofton Klan Kosova.

Për këtë dezinformatë edhe Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga policia që të fillojë hetimet.

“Policia e Kosovës, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme me ç‘rast ka arritur që të identifikojë personin/at të cilët dyshohet se qëndrojnë prapa këtij mesazhi. Ajo çfarë mund të konfirmojmë është se ky mesazh ishte mashtrues, i njëjti është krijuar dhe dërguar tutje fillimisht nga një person, tani i njohur për Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarr veprimet e nevojshme procedurale rreth këtij rasti.