MASH-i me dy opsione për vitin e ri akademik, rihapja e shkollave ose mësimi në distancë

Ministria e Arsimit po planifikon rikthimin në shkolla ose mbajtjen e mësimit në distancë për vitin e ri akademik 2020/2021, i cili nis në shtator.

Për këtë ministria ka formuar grupe punuese, ku do të përgatitet një një plan, i cili do të ketë dy opsione, rikthim në shkolla apo vazhdim të mësimit nga distanca.

Kështu është bërë e ditur për lajmi.net nga Ministria e Arsimit.

Plani A do të jetë që nëse rihapen institucionet arsimore, të merren të gjitha masat mbrojtëse në shkolla dhe të ketë informim të mjaftueshëm për nxënësit se si të mbrohen nga COVID-19.

Ndërkaq plani B nëse shkollat nuk rihapen, të bëhen përgatitjet e duhura që mësimi të vazhdohet në tri komponentë: online, në distancë dhe i kombinuar.

‘’Bazuar edhe në praktikat e vendeve të tjera, MASh ka formuar grupe për përgatitjen e planit A dhe planit B. Plani A do të jetë nëse rihapen shkollat në shtator, që të merren të gjitha masat mbrojtëse në shkolla dhe të ketë informim të mjaftueshëm për nxënësit se si të mbrohen nga COVID-19. Plani B është nëse shkollat nuk rihapen, atëherë MASh do të ketë planin e qartë se si të vazhdohet mësimi në tri komponente: online, në distancë dhe i kombinuar’’, kanë thënë nga minsitria për lajmi.net.

Po ashtu nga misnitria kanë thënë se për këtë MASh do të jetë në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

‘’MASh është duke e bërë llogaritjen se sa do të jetë shuma totale për përgatitjen e shkollave për rihapje në shtator, shumë e cila duhet të kërkohet gjatë rishikimit të buxhetit, e po ashtu është në kontakt me donatorë që mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Gjithsesi, MASh do të jetë në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike’’, kanë thënë nga MASH-i.

Ndërsa, njohësi i arsimit, prof. Rinor Qehaja, vendimi për rikthim në hapësira shkollore duhet të ketë parasysh pikësëpari sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve, dhe si tha ai, kjo si rekomandim nga Institute i Shëndetit Publik

‘Besoj që deri në shtator shumëçka rreth pandemisë do të kuptohet më mirë, përfshirë edhe transmetimin e sëmundjes mes fëmijëve. Vendimi për rikthim në hapësira shkollore duhet të ketë parasysh pikësëpari sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve, dhe kjo si rekomandim nga Institute i Shëndetit Publik’, ka thënë Çehaja.

Kujtojmë se për shkak të pandemisë Covid-19 në Kosovë, mësimi në distancë kishte filluar më 23 mars.

Si rezultat i rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, është shtyrë për muajin gusht edhe mbajtja e testeve të arritshmërisë dhe maturës.