Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë ende nuk ka një planprogram se si do të zëvendësohen orët, pas vendimit për zgjatje të pushimit dimëror një muaj.
Aktualisht nga MASH-i nuk është bërë e ditur nëse do të shfrytëzohet pushimi pranveror. Mirëpo nga SBASHK-u kanë thënë për lajmi.net se është propozuar që pushim pranveror të mos ketë dhe që fundi i vitit të zgjatet.
Qeveria e Kosovës në koordinim me ministrinë e Arsimit ka marrë vendim për zgjatje të pushimit dimëror plotë një muaj, nga data 18 dhjetor deri me 18 janar të viti 2021. Kjo kohë siç kanë thënë nga MASH-i do të shfrytëzohet edhe për dezinfektim dhe përgatitje të shkollave.
“Për shkak të gjendjes aktuale pandemike, e cila tashmë mund të kombinohet edhe me gripin sezonal, rritjes së numrit të të infektuarve me virusin Covid-19, në konsultim kryeministrin e Kosovës, z. Hoti, rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShPK-së, MASh ka marr vendim për ta zgjatur pushimin pas periudhës së parë të vitit shkollor 2020/2021. Kjo kohë do të shfrytëzohet për dezinfektim dhe përgatitje të shkollave, ndërkaq MASh do ti përkrah shkollat në përgatitje dhe ofrim të kushteve të sigurta për mbajtje të mësimit në shkolla”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësja e MASH-it Diellza Kukaj.
Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net nga MASH-i nuk kanë bërë të ditur se si do të zëvendësohen këto orë.
Kukaj ka thënë se janë duke Planprogrami i paraparë do të përmbushet në tërësi, ndërkaq për mënyrën e realizimit të planprogramit mësimor, jemi duke diskutuar bashkë me akterë të tjerë të përfshirë në arsim.
“Planprogrami i paraparë do të përmbushet në tërësi, ndërkaq për mënyrën e realizimit të planprogramit mësimor, jemi duke diskutuar bashkë me akterë të tjerë të përfshirë në arsim. Ndërkohë që gjatë këtyre ditëve, u është bërë thirrje mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve që të bashkëpunojnë ngushtë, në mënyrë që ta mbyllim me sukses këtë periudhë të vitit shkollor”, ka thënë Kukaj.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) Rrahman Jasharaj, ka thënë për lajmi.net se është propozuar nga MASH-i që pushim pranveror të mos ketë dhe që fundi i vitit të zgjatet.
“Në takimin që ka organizuar MASH-i ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i SBASHK-ut dhe janë dakorduar që të ndryshohet pak kalendari për vitin shkollor, për arsye se gjysmëvjetori i parë është shkurtuar dhe pushimi është zgjatur. Ka gjasa që të punohet gjatë pushimit pranveror, për çka është pajtuar edhe SBASHK-u. Ka qenë propozim i Ministrisë edhe Drejtorive të Arsimit. Pastaj do të definohet edhe në ditët në vazhdim se si do të realizohet. Ne jemi që të mos humbët mësimi aq sa kemi mundësi”, ka thënë Jasharaj.
Kujtojmë se me fillimin e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte realizuar një Master Plan për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie.
Gjatë gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor nga koronavirusi janë infektuar një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve dhe i nxënësve. Shkollat të cilat kanë pasur raste të konfirmuara me coronavirus, kanë kaluar në mbajtjen e mësimit online.