Masat e reja antiCovid në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se duhet të vërehet dora e shtetit në zbatimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Ai në një takim që pati sot me Asociacionin e Komunave të Kosovës, Policinë, Agjencinë e Veterinës e Ushqimit de inspektorë në nivel qendror e komunal, tha se është në proces miratimi vendimi për masa të reja për parandalim të pandemisë, i cili do të përfundojë sot.

“Duhet të vërehet dora dhe vendosmëria e institucioneve shtetërore në zbatim të masave dhe për këtë na obligon situata dhe përgjegjësitë për të vepruar bashkë dhe të koordinuar”, ka thënë Kryeministri Avdullah Hoti, përcjell Zyra për informim e Qeverisë.

Ai ditë më parë, u ankua se Policia dhe inspektorët nuk po i zbatojnë vendimet e Qeverisë për luftimin e pandemisë.

Disa nga propozimet e Qeverisë për parandalimin e COVID-19

  • Prej datës 30 korrik, të gjithë qytetarët e Kosovës që vijnë nga vendet e rrezikut të lartë të infeksionit (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) obligohen të vetizolohen për shtatë ditë në shtëpitë/banesat e tyre.
  • Prej datës 30 korrik, qytetarët e Kosovës (me leje qëndrim, leje qëndrim të përkohshëm) që dalin jashtë territorit të Kosovës dhe nuk kthehen brenda 48 orëve, obligohen të dëshmojnë se janë shëndoshë nga COVID-19 me anë të PCR testit, në të kundërtën duhet vetizoluar për shtatë ditë.
  • Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë e Bosnjës, që hyjnë në Kosovë duhet të kenë testin PCR. Gjatë hyrjes nëpërmjet pikave kufitare ajrore nuk ka nevojë për vërtetim për PCR test, duke marrë parasysh se shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë tranzit nëpërmjet territorit të Kosovës, me atë që në hyrje do të nënshkruhet deklarata se në afat prej tri orëve do të largohet nga territori i Kosovës.
  • Në pikë kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pika ajrore, nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk ka nevojë për test PCR, shtetasi i huaj është i obliguar të paraqes biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajë deklaratë se brenda tri orëve largohet nga Kosova.
  • Transportuesit profesionistë (Vozitësit), nuk është e nevojshme të kenë vërtetim PCR, vetëm me detyrim të respektimit të protokollit për transport ndërkombëtar. Për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare në transitim, nuk duhet testi PCR, me atë që duhet nënshkruar deklaratë se largohen brenda pesë orëve.
  • Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi , Serbisë dhe Bosnjës, që kanë caktuar termine për mjekim në institucione shëndetësore të Kosovës, mund të hyjnë me atë që duhet të paraqesin vërtetim për test negativ PCR, të bërë 72 orë para hyrjes në Kosovë dhe vërtetim për terminin e caktuar në spital.
  • Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë e Bosnjës, që kanë dyshtetësi, nëse kanë vendbanim në Kosovë (sipas evidencës së MAP ose kanë letërnjoftim), nuk është e nevojshme të kenë testin negativ PCR.
  • Por, ata që kanë dokumente të Kosovës, por nuk kanë adresë banimi në një nga shtetet e lartëpërmendura, gjatë hyrjes duhet të paraqesin testin PCR negativ të bërë 72 orë më parë.
  • Nga data 28 korrik, duke filluar nga ora 22:30 deri në 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizik në Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë-Kosovë dhe Shtërpcë, përveç në raste urgjente (kujdes për të sëmurë, kërkim të ndihmës nga institucionet si rasti me dhunë familjare, në rast të vdekjes së ndonjë anëtari, në rast të paraqitjes së nevojës për dalje jashtë me kafshë por vetëm 500 metra nga shtëpia, dhe nuk mund të kryhet ndonjë punë tjetër.
  • Ndalohen grumbullimet e më tepër se 5 personave në sheshe publike, parqe.
  • Ndalohen ahengjet familjare të mbi 20 personave. Maskat janë të obligueshme në gjitha ambientet e mbyllura dhe po ashtu distanca fizike dy metra.
  • Ndalohen aktivitetet rekreative kulturore sportive në ambiente të mbyllura dhe të hapura në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe shkolla të futbollit. Përjashtim bëjnë fitneset, pishinat dhe sportet individuale, në përputhje me Manualin.
  • Ndalohen tregjet publike të automjeteve e kafshëve.
  • Ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në aktivitetet fetare në të gjithë Kosovën.
  • Lejohet aktiviteti i çerdheve publike dhe private në territorin e Kosovës pas vlerësimit dhe mbikqyrjes nga autoritetet komunale, në përputhje me Manualin.
  • Subjekteve që ofrojnë gastronominë, u ndalohet funksionimi nga ora 22:30 deri në 05:00. Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën 1.5 metra mes tavolinave, si dhe shërbimi merre me vete.
  • Qytetarët mbi 65 vjeç mund të dalin jashtë nga ora 05:00 – 10:00 dhe nga ora 18:00 deri 21:00.