Masat e Qeverisë anti-COVID-19, profesionistët shëndetësorë nuk po shohin përmirësim të gjendjes

Dy javë pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, duke kufizuar lëvizjen e lirë në disa komuna nga ora 19:00 e deri në 05:00 të mëngjesit, profesionistë shëndetësorë thonë se nuk shohin ndonjë përmirësim të gjendjes me të infektuar nga ky virus. Nga Ministria e Shëndetësisë megjithatë thonë se masat kanë efekte.

Infektologu Sali Ahmeti thotë se Klinika Infektive mund ta pranojë një pacient të ri, vetëm nëse lëshohet një i shëruar.

Salihu thotë se janë duke punuar me kapacitete të plota, pasi kërkesat për hospitalizim janë të mëdha.

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare është referente për gjithë Kosovën. Aty janë rreth 200 shtretër të dedikuar për personat e infektuar me coronavirus.

Ndërkaq, në të gjitha spitalet në Kosovë janë rreth 900 pacientë të hospitalizuar, ndonëse ky numër ndryshon nga dita në ditë.

“Ne në Klinikën Infektive po punojmë vazhdimisht me kapacitete të mbushura. Shtretërit janë komplet të mbushur me pacientë. Pra, në Klinikën Infektive, nuk kemi më ku të fusim pacientë. Ata që lëshohen sigurisht pranohen të tjerë, por kështu po punojmë, pra me kapacitete të plota”, bën të ditur Ahmeti.

Sipas tij, ka kërkesa më të shtuara për hospitalizim dhe varësisht nga gjendja, pacientët transferohen edhe në klinika tjera ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Por, Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë tha se masat e reja që Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë më 12 nëntor kanë pasur një ndikim pozitiv, duke e mbajtur infeksionin nën kontroll.

Ai shton se përqindja e të infektuarve dy javët e fundit nga të gjithë të testuarit ka qenë 35-42 për qind dhe kjo është arritur të mbahet në këtë nivel.

“Rezultati kryesor i masave të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së COVID-19 kanë qenë mbajtja e nivelit të infeksionit në një kurbë normale, pra nuk ka pasur një rritje shumë të madhe apo rënie në të njëjtën kohë. Por, kurba e infeksionit ka mbetur e sheshtë. Ajo që mund të konsiderohet mbase edhe si një lloj suksesi, e që sigurisht kemi pasur humbje jete të njerëzve është që numri i të vdekurve në Kosovë gjatë kësaj periudhe nga COVID-19 mund të konsiderohet më i vogël se në shumicën e shteteve të rajonit dhe Evropës’’, thotë Hoti.

Megjithatë, Hoti shton se të gjitha këto masa janë të pamjaftueshme nëse qytetarët nuk vazhdojnë t’i kultivojnë shprehitë e mbrojtjes, siç është distanca, mbajtja e maskës dhe higjiena personale.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 37.792 raste me COVID-19, prej tyre 975 kanë vdekur.