Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Marrëveshja Shqipëri-Itali, pritet të mbërrijë një tjetër grup i emigrantëve të paligjshëm

Marrëveshja Shqipëri-Itali, pritet të mbërrijë një tjetër grup i emigrantëve të paligjshëm

Një grup i emigrantëve të paligjshëm pritet të mbërrijnë në Shqipëri në orët në vazhdim, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve, transmeton Anadolu.

Në media është raportuar se dhjetëra emigrantë të ndaluar në det nga autoritetet italiane do të transferohen në kampin e ndërtuar në Qarkun e Lezhës.

Ardhja në Shqipëri e një grupi tjetër emigrantësh të paligjshëm do të riaktivizojë marrëveshjen në fjalë.

Kujtojmë se gjatë vitit 2024 mbërritën dy grupe emigrantësh, por u rikthyen përsëri në Itali pas vendimit të një gjykate italiane.

Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit

Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.

Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.

Exit mobile version