Marrëveshja Shqipëri-Itali, kthehet përsëri grupi i parë i emigrantëve

Emigrantët e paligjshëm që u ndaluan nga autoritetet italiane dhe mbërritën në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve, do të rikthehen në Itali, raporton Anadolu.

Pas vendimit të një gjykate italiane në lidhje me kthimin e tyre në Itali, anija italiane ka marrë 12 emigrantët që ishin akomoduar në kampin e ngritur në Qarkun e Lezhës.

Nën masa të larta sigurie, emigrantët janë transportuar nga kampi për në Portin e Shëngjinit me autobus, për të vazhduar më pas me procedurat e nisjes së tyre drejt Italisë.

Anija e Rojës bregdetare italiane është nisur nga Porti i Shëngjinit drejt brigjeve italiane, ndërkohë nga autoritetet në Shqipëri nuk ka ndonjë reagim në lidhje me këtë çështje.

Më 16 tetor mbërriti në Shëngjin grupi i parë i emigrantëve të paligjshëm i përbërë nga 16 emigrantë që janë ndaluar nga autoritete italiane. Ndërkohë, 4 prej tyre u rikthyen përsëri në Itali për shkak të problemeve shëndetësore dhe moshës së mitur.

Më 18 tetor, një gjykatë italiane nuk la në fuqi ndalimin e emigrantëve të parregullt të dërguar nga Italia në Shqipëri, duke urdhëruar autoritetet italiane t’i kthejnë ata në Itali.

– Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit

Më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.

Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt 2024.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.

Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.