Kosova dhe Serbia kanë arritur sot marrëveshje për çështjen e energjisë në veri, ndërsa pas kësaj ka reaguar kryeministri Albin Kurti i cili e ka quajtur lajm të mirë.
Se kur pritet të fillojë inkasimi i energjisë së shpenzuar në veri, Kurti ka thënë se detajet për këtë do të jepen nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Ky është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit Ibër”, është shprehur Kurti, raporton kp.
Ai ka thënë se është lajm i mirë që do fillojë inkasimi i energjisë në veri sepse i është shkaktuar dëm i madh Kosovës, raportojnë mediat.
Ndryshe, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes me palën serbe lidhur me çështjen e energjisë.
Bislimi në një postim në Twitter, ka shkruar se me këtë marrëveshje tani e tutje edhe komunat veriore të Kosovës do të faturohen për energjinë që shpenzojnë.
“Më në fund kemi miratuar Udhërrëfyesin e implementimit për marrëveshjet për energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi.
Edhe i dërguari i posaçëm i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes, duke e quajtur këtë si hap të madh përpara.