Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukri tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe vendit të tij kanë treguar zhvillim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një lidhje telefonike në programin e kanalit televiziv egjiptian MBC, ministri Shoukri dha deklaratë lidhur me bisedimet e raundit të dytë nga zyrtarët e ministrive të Jashtme të Turqisë dhe Egjiptit.
“Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Egjiptit kanë shënuar një zhvillim. Ka zhvillime të cilat shpresojmë të vazhdojnë”, tha Shoukri.
Ai theksoi se në raundin e dytë të konsultimeve eksploruese mes Turqisë dhe Egjiptit u diskutuan çështjet për marrëdhëniet dypalëshe dhe ato rajonale dhe se është bërë një vlerësim.
Më 8 shtator pas bisedimeve të raundit të dytë të konsultimeve eksploruese mes Turqisë dhe Egjiptit, duke folur për televizionin ‘Bloomberg’, Shoukri tha se vendi i tij është “në kërkim të një formule për të vendosur marrëdhënie normale” me Turqinë.
Marrëdhëniet Turqi-Egjipt
Marrëdhëniet diplomatike mes Turqisë dhe Egjiptit që nga viti 2013 vazhdojnë në mënyrë reciproke në nivelin e të ngarkuarit me punë.
Gjatë këtij procesi mes ministrave të Jashtëm të të dy vendeve janë zhvilluar biseda të shkurtra me raste të ndryshme, ndërsa ambasada egjiptiane në Ankara dhe konsullata e përgjithshme egjiptiane në Stamboll si dhe ambasada e Turqisë në Kajro dhe konsullata turke në Aleksandri vazhdojnë aktivitetet e tyre.
Një delegacion nga Turqia nën kryesimin e zv.ministrit të Jashtëm të Turqisë, Sedat Önal me ftesë të Egjiptit vizitoi Kajron dhe zhvilloi bisedime në periudhën 5-6 maj.
Raundi i dytë i bisedimeve të konsultimeve eksploruese mes dy vendeve u zhvillua në Ankara gjatë periudhës 7-8 shtator. /aa