Mediat, pavarësisht nëse janë të shtypura, elektronike ose sociale, kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Megjithatë, përkundër rolit kaq të rëndësishëm të mediave, monitorimi i ndërsjellë i mediave për Serbinë dhe Shqipërinë nuk është sistematik dhe i rregullt. Një studim i madh i vitit 2013, i kryer nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) në Tiranë dhe Qendra për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC) në Beograd, analizon prezantimin e Shqipërisë në mediat serbe dhe, anasjelltas, si dhe marrëdhëniet e dy shteteve në vitet 2011 dhe 2012.
Festim RIZANAJ, Prizren
Dihet mirë se mediat nuk janë vetëm transmetues, por edhe krijues të rëndësishëm, në mos kyçë, të mesazheve dhe se ato luajnë një rol thelbësor në krijimin dhe formësimin e opinionit publik. Roli i tyre në demokratizim është i një rëndësie të veçantë – për aq sa janë të lirë dhe kritikë, ato gjithashtu kontribuojnë në atmosferën e përgjithshme demokratike dhe përgjegjësinë në shoqëri.
Kjo veçanërisht u referohet marrëdhënieve dhe perceptimit të ndërsjellë, kryesisht të studiuar dobët ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Edhe pse serbët dhe shqiptarët janë fqinjë dhe kombet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor, lidhjet mes tyre ende rrezikohen seriozisht nga mungesa e njohurive për njëri-tjetrin, kontaktet e dobëta dhe bashkëpunimi i dobët reciprok, si dhe nga paragjykimet dhe stereotipat e rrënjosur thellë.
Roli i madh që media mund të luajë në këto raste është i mirënjohur. Për shembull, pas ndeshjes së futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, në tetor të vitit 2014, kur një dron ndërpreu ndeshjen dhe shkaktoi përballje fizike ndërmjet lojtarëve, raportimi i ndeshjes në median serbe nuk ishte asnjanës. Raportimi i zmadhoi perceptimet për nacionalizmin shqiptar dhe media pa ndonjë të dhënë krijoi lidhje ndërmjet dronit dhe skuadrës kombëtare shqiptare të futbollit, ndërkohë që më vonë u zbulua se droni ishte puna e një personi të vetëm pa ndonjë lidhje me kombëtaren shqiptare ose Federatën Shqiptare të Futbollit. Ky është një shembull që përshkruan ndikimin që media ka në një shoqëri komunikimi si kjo e jona.
Raportet Shqipëri-Serbi në media
Mediat, pavarësisht nëse janë të shtypura, elektronike ose sociale, kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Megjithatë, përkundër rolit kaq të rëndësishëm të mediave, monitorimi i ndërsjellë i mediave për Serbinë dhe Shqipërinë nuk është sistematik dhe i rregullt. Një studim i madh i vitit 2013, i kryer nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) në Tiranë dhe Qendra për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC) në Beograd, analizon prezantimin e Shqipërisë në mediat serbe dhe, anasjelltas, si dhe marrëdhëniet e dy shteteve në vitet 2011 dhe 2012.
Në përgjithësi, rezultatet tregojnë në mënyrë implicite brishtësinë e marrëdhënieve politike serbo-shqiptare, ku mjafton një deklaratë e zjarrtë për të shkaktuar një ortek akuzash nga të dyja palët. Një nga gjetjet kryesore të hulumtimit është se perceptimet për Shqipërinë janë kryesisht negative dhe se Shqipëria më së shpeshti lidhet me çështjen e Kosovës në mediat në Serbi. Në artikujt e analizuar, Shqipëria u portretizua si parazgjedhje, një vend që jo vetëm që mbështet fuqishëm, por edhe sponsorizon në mënyrë aktive pavarësinë e Kosovës ose, madje, përpiqet të zgjerojë territorin e saj në kurriz të Serbisë dhe fqinjëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor (“teza e Shqipërisë së Madhe”). Një perspektivë e tillë i zbeh të gjitha aspektet e tjera të marrëdhënieve dypalëshe.
Një temë e përsëritur në mediat serbe është ajo e Shqipërisë së “madhe”, “etnike” ose “natyrale”. Çdo hap që Tirana dhe Prishtina hedhin drejt njëra-tjetrës, si p.sh. shkrirja e shërbimeve të tyre konsullore, ndërtimi i autostradës ose edhe propozimet publike për një bashkim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, mediat serbe e interpretojnë si konfirmim të “tezës së Shqipërisë së madhe”.
Ndërkaq, Serbia në mediat shqipe gjatë kësaj periudhe është parë nën prizmin neutral dhe përgjithësisht i referohen ngjarjeve kulturore dhe rrallëherë lidhen me çështjen e Kosovës (veçanërisht ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit).
Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e ekonomisë dhe kulturës, Shqipëria shfaqet në media me një konotacion dukshëm më pozitiv. Por, për bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor flitet shumë më pak në media sesa për çështje politike.
Një studim i vitit 2017 nga Ledion Krisafi, në lidhje me Serbinë dhe marrëdhëniet Serbi-Shqipëri, i jep një pamje të përgjithshme të mënyrës së si Serbia dhe marrëdhëniet Serbi‐Shqipëri janë raportuar në shtypin shqiptar. Studimi tregon se raportimi është më së shumti rrethanor, i varur nga çështje të caktuara në një moment të caktuar, por gjithashtu ka një prani të vazhdueshme të Serbisë në shtypin shqiptar gjatë gjithë periudhës së përfshirë në këtë studim. Disa çështje të rëndësishme të tilla, si dhoma e përbashkët e tregtisë Serbi-Shqipëri ose projekti për autostradën Nish-Durrës, nuk u shfaqën fare në shtypin shqiptar në periudhën e sipërpërmendur. Çështje të tjera, si vizita e presidentit Nishani në Preshevë dhe Bujanoc, e cila ishte vizita e parë e një presidenti shqiptar në ato komuna me shumicë popullsie shqiptare, u raportuan shumë pak në shtyp.
Serbia u shfaq në shkrimet në shtypin shqiptar më së shumti në lidhje me çështje të lidhura me Kosovën. Arrestimi i Haradinajt në Francë, i bazuar mbi një urdhër arrest serb për krime të supozuara lufte, u paraqit gjerësisht. Gjithashtu çështja e trenit serb Beograd‐Mitrovicë, i lyer me mbishkrimet “Kosova është Serbi” në gjuhë të ndryshme dhe reagimet ndaj trenit në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, u raportuan dukshëm në median shqiptare.
Marrëdhëniet Serbi‐Shqipëri ishin më pak të raportuara se çështjet e lidhura me Kosovën. Një prej raportimeve ishin reagime nga Shqipëria dhe Serbia për Kosovën dhe disa të tjera ishin përgjithësisht shkrime pozitive për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe disa aktivitete të përbashkëta kulturore. Përgjithësisht, Serbia dhe marrëdhëniet Serbi‐Shqipëri janë më pak të raportuara në shtypin shqiptar sesa marrëdhëniet me Greqinë apo Kosovën.
Ndërsa, në studimin “Shqipëria në mediat serbe (janar–shtator 2017) nga Aleksandar Pavloviq dhe Jelena Çeriman, ku pasqyrohet mbulimi i Shqipërisë nga media serbe nga janari deri në shtator 2017 thuhet se çështja e Kosovës e ndikon shumë qasjen. Prandaj, shumica e referencave për Shqipërinë u gjetën në artikujt për situatën në Kosovë dhe politikanët kosovarë. Tema të tjera, që tërhoqën vëmendjen e gazetave, janë kërcënimi i “Shqipërisë së Madhe” dhe çështja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, d.m.th. platforma e Tiranës zyrtare për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve. Pyetja e parë i referohet deklaratës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen nëse shqiptarëve u mohohet e ardhmja në BE. Mediat dhe zyrtarët serbë i kushtuan vëmendje po aq të madhe dhe, proporcionalisht, negative të ashtuquajturës Platforma nga Tirana – plani i përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë lidhur me kërkesat e tyre për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, e cila u arrit në Tiranë me ndërmjetësimin e Ramës. Gazetat serbe, veçanërisht, kishin qëndrim mjaft negativ ndaj kësaj nisme, e cila, sipas gazetarëve të tyre, kërcënonte dhe ndante Maqedoninë e Veriut në vija etnike. Prandaj, të dyja rastet tërhoqën vazhdimisht vëmendjen e mediave në Serbi gjatë periudhës së vëzhguar dhe kryesisht u trajtuan me ton negativ. Tekstet për skenën politike shqiptare ishin relativisht të rralla. Me përjashtim të Edi Ramës, asnjë politikan tjetër nga Shqipëria nuk mori vëmendje serioze mediatike. Vizita e presidentit Bujar Nishani hasi në një pritje jashtëzakonisht modeste mediatike, me shkrime për tensione dhe panik, jo për bashkëpunim, fqinjësi ose çështje ekonomike.
Tri ngjarje kyçe në Kosovë në hapësirën mediale serbe
Gazela Pudar Drashko bën një studim lidhur me përqasjen intelektuale në hapësirën mediale lidhur me ngjarjet e trazirave të marsit 2004, shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe Marrëveshjen e Brukselit më 2013, të quajtur “Simbolika e pafuqisë: intelektualët dhe marrëdhëniet serbo-shqiptare në kontekstin post-jugosllav”.
Në kontekstin e dhënë të tri ngjarjeve kyçe në marrëdhëniet serbo-shqiptare, intelektualët ndryshuan vizionin brenda të cilit vëzhguan dhe operacionalizuan marrëdhëniet serbo-shqiptare, duke lëvizur nga shqiptarët si Tjetri në Europë në Perëndimi si Tjetri. Analiza tregoi se intelektualët fokusohen kryesisht në çështjet e brendshme të korpusit kombëtar serb, veçanërisht gjatë viteve 2008 dhe 2013. Pas reagimit të dhimbshëm dhe operacionalizimit të shqiptarëve si Tjetër i paqytetëruar, fashist dhe i papjekur, pas përshkallëzimit të dhunës në Kosovë në vitin 2004, vetë shqiptarët dalëngadalë po zhduken nga diskursi i intelektualëve serbë. Me largimin gjithnjë e më të madh të Tjetrit Shqiptar, shtohet prania e tjetërsisë së Perëndimit, mbi të cilin hidhet faji për rrëmbimin e hapësirës kulturore shekullore serbe, në favor të shqiptarëve. Në vëzhgimet intelektuale, shqiptarët janë gjithnjë e më dytësorë, të mënjanuar dhe shpeshherë të larguar plotësisht, ndërkohë që vajtojnë për fatin e vështirë të popullit serb dhe elitës së tij, të cilët e kanë çuar në rrugë të gabuar prej vitesh dhe nuk kanë forcë të mjaftueshme për të kundërshtuar copëtimin e shtetit, për të cilin, si rregull, fajësohen fuqitë e huaja dhe interesat e tyre gjeopolitike. Është mjaft e dukshme se tekstet gjatë vitit 2013 dëshmojnë mungesën e plotë të shqiptarëve në mendjet e intelektualëve në fund të periudhës së vëzhguar, gjë që tregon se Tjetri shqiptar ka humbur dhe i është dhënë rrugë diskursit të pafuqisë dhe vajtimit të vet mbi kombin e shkatërruar për shkak të dobësisë së elitës kombëtare.
Tashmë në shikim të parë duket qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës shkaktoi reagimin më të madh në opinionin serb. Në prodhimin e përmbajtjeve mediatike publikoheshin disa deklarata të shkurtra të intelektualëve për temën e pavarësisë. Pas këtij kulmi, pati një lloj zbrazjeje, që reflektohet në mungesën e një reagimi masiv të intelektualëve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit në media në 2013-ën.
Në trazirat e vitit 2004, në perceptimin e intelektualëve serbë, shqiptarët paraqiten si mizorë, ekstremistë, madje edhe xhihadistë e fashistë.
Pas reagimeve të trazuara të dhunës së vitit 2004, dukej se intelektualët iu drejtuan vetekzaminimit, i cili u shoqërua kryesisht me vajtimin për paaftësinë e kombit të tyre për t’u bashkuar dhe gjetur aleatë për realizimin e interesave të veta kombëtare. Ndonëse reagimet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës janë të stuhishme, në tekstet e vitit 2008 ka shumë pak konstruksion të Tjetrit shqiptar. Shpallja e pavarësisë dhe pranimi i këtij akti nga shumë përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar kontribuoi në zhvendosjen e fokusit nga shqiptarët si Tjetri, në Perëndimi, Europa dhe Amerika si Tjetri.
Pas komentimit të dorëhequr për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, e cila pjesërisht u pranua si realitet, pjesërisht si një fazë tranzitore deri në disa “kohë më të mira”, akti i nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit u prit vakët, pothuajse pa asnjë reagim në rrethet intelektuale. Ky lloj (mos)reagimi mund të përshkruhej më së miri me frazën biblike: “Ka përfunduar”.
Një paralele historike
Gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912–1913), një numër i konsiderueshëm artikujsh u botuan në gazetat periodike serbe që sollën një sërë idesh të ndryshme për popullatën shqiptare – për lidhjen e saj kulturore, sociale dhe politike kur bëhet fjalë për shpërndarjet e reja territoriale në Ballkan, pas përfundimit të aksioneve të luftës.
Hulumtimi i shtypit serb gjatë luftërave ballkanike, i bërë nga Milan Miljkoviq, tregon se si kodifikohet ky sterotip negativ i shqiptarëve në kulturën serbe në këtë periudhë. Duke hulumtuar materialet e përzgjedhura të gazetave, u konstatua se tregimet kryesore për shqiptarët artikulohen kryesisht negativisht dhe se kompleksi tematiko-motiv mund të ndahet në tri njësi më të vogla: e para i referohet përfaqësimit të shqiptarëve si ushtarë dhe luftëtarë të angazhuar në ana e Turqisë; e dyta për të hetuar çështjen e autenticitetit të origjinës dhe historisë së vendbanimit shqiptar të Kosovës dhe Maqedonisë deri në fillim të shekullit XX; dhe, e treta, tek përfaqësimi i popullsisë shqiptare nëpërmjet figurave të ligjërimit kolonial europian. Në shumicën e mediave të shkruara serbe, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, populli shqiptar u shfaq si një entitet amorf, jokoherent fisnor ose parafisnor, që nuk ndërtoi vetëdije ose kushte për përfshirje të barabartë në rrethin e popujve të qytetëruar të Ballkanit, pra të Europës.
Duke u mbështetur në shpeshtësinë e motiveve dhe narrativave dominuese për shqiptarët (si ushtarë, armiq dhe “egërsira” europiane) dhe në vëzhgimin e raportimeve koherente dhe të vazhdueshme negative në disa gazeta kryesore në Serbi, autori konkludon se në rrjedhën kryesore të shtypit serb, që nga tetori 1912 deri në prill 1913, imazhi i popullit shqiptar u ndërtua si model i një hapësire të paqytetëruar, një bote të egër dhe të paarritshme, në të cilën nuk zbatohen rregulla kulturore të vendeve europiane dhe në të cilën vetëm ligji i armëve, dhunës dhe krimi mbretëron, ndërsa mentaliteti i popullsisë shqiptare përshkruhet me termat e egër, kafshërorë, irracionalë dhe instinktivë. Në këtë aspekt, imazhi dominues i medias në Serbi, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, përputhej me retorikën zyrtare të qeverisë serbe dhe politikanëve të shumtë të kohës, duke shërbyer për legjitimimin e synimeve të politikës së jashtme (zgjerimi, dalja në det në Shqipëri, kundërshtimi ndaj një Shqipërie të pavarur).
E, megjithatë, që nga fillimi i botimit të kësaj të përditshme (“Politika”: 1904), shqiptarët u paraqitën si “armiq” dhe “të poshtër”, ndërsa kërkesat e tyre për liri dhe pavarësi u konsideruan të padrejta dhe të pajustifikuara. “Politika”, që nga numri i saj i parë, mbështeti dhe shpalli politikën zyrtare të shtetit të Serbisë, i cili fillimisht ua mohonte shqiptarëve të drejtën për një shtet të pavarur, duke insistuar në të njëjtën kohë që territoret e banuara nga shqiptarët të ndaheshin midis Serbisë dhe shteteve tjera ballkanike.
Një qasje e tillë ndaj shqiptarëve dhe synimeve të tyre kombëtare u intensifikua edhe në raportimin e gazetave, veçanërisht në kohën e rënies së Perandorisë Osmane dhe muaj para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Beogradi zyrtar e shihte Shqipërinë si një projekt austriak, të mbështetur nga Italia, që kërcënon paqen në Ballkan dhe në të gjithë Europën. Një këndvështrim i tillë e sheh idenë e krijimit të një shteti shqiptar vetëm si një shpikje austriake. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nuk e ndali fushatën diplomatike dhe mediatike serbe. Përkundrazi, “Politika” vazhdoi të këmbëngulë se krijimi i një shteti kombëtar për shqiptarët është irracional, duke e radikalizuar fjalorin e saj për shqiptarët, të cilin në disa tekste as që e konsideron fare si komb. /revistashenja