Marrëdhëniet Gjermani-Britani, Merkel në Londër: Shans për një kapitull të ri pas Brexit

Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel u takuan të premten, me qëllim thellimin e marrëdhënieve dypalëshe pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian.

Në fjalën e saj, kancelarja Merkel tha se e sheh largimin e Britanisë si një shans për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet anglo-gjermane, si dhe për të krijuar formate komunikimi që vendosin kontakte të ngushta.

“Kjo është një mundësi e mirë për të hapur një kapitull të ri marrëdhëniesh dhe për të gjetur formate të reja komunikimi. Ne parashikojmë konsulta të rregullta qeveritare, për të cilat kemi rënë dakord. Jemi të bindur se kjo do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë dhe do të japë rezultat. Ndaj, mezi presim të punojmë me Britaninë e Madhe,” – tha Merkel.

Gjatë takimit në rezidencën e Johnson në veri-perëndim të Londrës, Merkel shprehu ndër të tjera shqetësimin për respektimin e protokollit të bashkëpunimit për Irlandën e Veriut.

Nga ana e tij, Johnson, me humor falënderoi Merkel për “thyerjen e traditës” së fitoreve të Gjermanisë ndaj Anglisë dhe e vuri theksin tek rritja e rasteve të infektimeve me variantin Delta, në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave në konferencën për shtyp, Johnson tha se nuk kishte në plan të reduktonte turmat që ndjekin ndeshjet e mbetura të kampionatit europian Euro 2020, të planifikuara për t’u luajtur në stadiumin “Wembley”. /euronews