Në Stamboll sot mbahet edicioni i 39-të i maratonës Vodafone, në të cilin marrin pjesë rreth 125.000 garues nga 100 shtetet të ndryshme të botës, ndërkohë që evenimenti u është kushtuar fëmijëve dhe organizohet me moton “Vrapojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Pikënisja e maratonës ishte nga Ura e “Dëshmorëve të 15 korrikut”, ndërsa sinjalizimin për fillim të garës e bëri ministri turk i Rinisë dhe Sportit, Osman Askin Bak, zëvendës kryetari i AK Partisë, Hayati Yazici dhe kryebashkiaku i Stambollit, Mevlut Uysal.
Garuesit do të vrapojnë përmbi Bosfor në Urën e “Dëshmorët e 15 korrikut”, për të vazhduar përgjatë bregut të Bosforit dhe lokaliteteve të cilat janë simbol i trashëgimisë romake, bizantine dhe osmane, ndërsa fundi i garës do të jetë në afërsi të xhamisë së Sulltan Ahmetit.
Në garën për titullin e më të mirit në këtë maratonë, marrin pjesë atletë të njohur nga Turqia, Kenia, Etiopia, Namibia, Bjellorusia, Azerbajxhani, Franca, etj.
Në konkurrencën e meshkujve, favoritë për marrje të njërit nga trofetë janë kenianët Paul Lonyangata, Jacob Kendagor, Ezekiel Kemboi Omullo dhe Paul Koech, etiopiani Bazu Worku, azeri Evans Kiplagat dhe turku Kaan Kigen Ozbilen.
Ndërkohë në konkurrencën e femrave më shumë pritet nga atletet nga Kenia, Agnes Jeruto Barsosio dhe Visiline Jepkesho, si dhe nga garueset nga Etiopia Letebrhan Haylay dhe Meseret Mengistu. Krahas garës kryesore do të mbahen edhe garat e personave që vrapojnë për rekreacion në distancat 10 dhe 15 kilometra dhe gara e personave me aftësi të kufizuara.
Fondi i përgjithshëm shpërblyes për çmimet është një milion dollarë.
Në mesin e vrapuesve është edhe ministrja turke për Familje dhe Politikë Sociale, Fatma Betul Sayan Kaya, e cila tha se në maratonën e sotme vrapojnë 13.000 fëmijë. Ajo ka shtuar se angazhimi kryesor i tyre është që fëmijët të kenë arsye për të qenë të buzëqeshur.
“Turqia zgjat dorën e miqësisë fëmijëve të mbarë botës, në vendet ku ka probleme, ndërsa rasti më i fundit janë fëmijët e ikur nga Mianmari në Bangladesh”, tha ministrja Kaya.