Në vendkalimin kufitar “Bogorodica” në qytetin juglindor Gjevgjeli është vendosur tabela me emrin e ri kushtetues të shtetit “Republika e Maqedonisë së Veriut”, me çka nis përdorimi zyrtar i emrit ashtu siç parashikonte Marrëveshja e Prespës e arritur me palën greke për të zgjidhur mosmarrëveshjen 28-vjeçare rreth emrit midis dy vendeve fqinje, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbishkrimi në tabelë është vendosur në gjuhën maqedonase dhe atë angleze dhe ky veprim është ndër masat e nevojshme për kryerjen e detyrimeve nga autoritetet e vendit pas hyrjes së djeshme në fuqi të Marrëveshjes së Prespës.
Për të kryer këto detyrime që dalin nga marrëveshje me Greqinë, qeveria ka formuar grupin punues ndërministror i cili do të marrë vendime mbi masat dhe aktivitetet me afate kohore për zbatimin e tyre. Këto vendime erdhën pasi dje Greqia dërgoi notën verbale se parlamenti i saj ka ratifikuar Marrëveshjen e Prespës dhe Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Siç njoftoi qeveria pas shpalljes në “Gazetën Zyrtare” të amendamenteve kushtetuese dhe ligjit kushtetues, me emrin e ri të shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut tabelat kufitare do të ndryshohen brenda tre ditëve, shenjat e komunikacionit në rrugët ndërkombëtare në vend brenda dy muajve, targat e automjeteve brenda katër muajve, lëshimi i pasaportave të reja do të fillojë nga fundi i vitit 2019, ndërsa kartëmonedhat e reja do të shtypen nga fillimi i vitit 2020.
– Marrëveshja e Prespës
Marrëveshja e Prespës u nënshkrua në qershor të vitit të kaluar në pjesën greke të Prespës midis qeverive të të dy vendeve fqinje, sipas të cilës Republika e Maqedonisë e ndryshon emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut. Ndryshimi i emrit zgjidh problemin me Greqinë, që daton që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991.
Më 11 janar të këtij viti, Kuvendi i Maqedonisë me shumicë prej dy të tretave miratoi ndryshimet kushtetuese të cilat dalin nga Marrëveshja e Prespës, respektivisht katër amendamente kushtetuese ndërsa më pas më 25 janar me shumicë të thjeshtë marrëveshja u ratifikua edhe në Parlamentin grek.
Amendamenti i parë i referohet emrit aktual të Republikës së Maqedonisë ku shtohet shtesa “e Veriut”, ndërsa amendamenti i dytë i referohet plotësimeve në preambulën e Kushtetutës, respektivisht vendimet e KAÇKM-së (Këshillit Antifashist i Çlirimit Kombëtar) ndryshohen me shpalljen e KAÇKM-së dhe i shtohet Marrëveshja e Ohrit, si element konstituiv i shtetit. Amendamenti i tretë dhe i katërt i referohen garancive për kufijtë territorial të Maqedonisë si dhe kujdes për qytetarët e Maqedonisë në diasporë dhe më gjerë.
Më 8 shkurt Greqia ratifikoi Protokollin për anëtarësim të Maqedonsië së Veriut në NATO, vendi i dytë që nënshkroi ishte Sllovenia parlamenti i të cilës e ratifikoi gjatë ditës së djeshme. Mbetet që Protokolli të nënshkruhet edhe nga 27 vendet tjera anëtare të NATO-s, ndërsa sipas paralajmërimeve, nesër pritet që Kuvendi i Shqipërisë të ratifikojë të njëjtin.