Ballina Autorë Opinione Maqedonia, shteti ku kriminelēt e hajdutët i mbron ligji

Maqedonia, shteti ku kriminelēt e hajdutët i mbron ligji

Kim Mehmeti

Thonë se me ndryshimet e Kodit Penal për uljen e dënimeve me burgim për bartësit e funksioneve shtetërore, do shpëtojnë së paku 80 politikanë kriminelë e hajdutë dhe, sipas kësaj del se në Maqedoni është vlerë dhe mençuri të vjedhësh, e budallaki e qyqari të jesh i ndershëm.
Dhe ka shumë vende që miratojnë ligje për t’i mposhtur hajdutët e kriminelët e tyre, por Maqedonia mbase është i vetmi vend që me ligj i mbron vjedhësit dhe të ligët e saj.
Gjithashtu thuhet se legalizimi i hajdutërisë dhe krimit është çmimi me të cilin partitë qeverisëse i blejnë votat e deputetëve opozitarë për t’i miratuar ndryshimet kushtetuese, me çka del se rrugën e vet drejtë Brukselit ajo e ka shtruar me pllaka e hajdutërisë dhe të nëntokës politike!
Pastaj thonë se në Maqedoni çdo gjë është e mundur ngaqë ne, qytetarët e saj, qenkemi shumë të durueshëm e të ‘butë’. Se nuk kemi as guxim qytetarë as kulturë politike që të mbrojmë atë që është e jona dhe që nuk i jepet askujt as me ligj as me kushtetutë.
Sa i përket ‘butësisë’ edhe bajga është e tillë dhe nuk ta lëndon këmbën kur e shkelë, por me të nuk mund të murosh kala!
E ndërkohë thuajse të gjithë harrojnë se aty ku pakënaqësia dhe revolta nuk shndërrohet në veprim, çdo gjë përfundon ose si vajtim, ose si nënshtrim!
Dhe aty ku pakënaqësia mbetet vetëm lotëderdhje dhe vuajtje e heshtur, njeriu ose pajtohet të jetojë me të keqen, ose ndërmerr atë që bëjnë të rinjtë tanë që i braktisin këto hapësira ku sundojnë vrastarët e shpresës, ku fatin e të ndershmëve e përcaktojnë hajdutët dhe të pafytyrët.

Nga: Kim Mehmeti

Exit mobile version