Maqedonia nuk është e jona por e atyre që nga pabukësa ajo i bëri milionerë!

Është mahnitës flijimi i kryetarit të BDI-së dhe i ministrave të kësaj partie për të mirën e Maqedonisë dhe për rrugëtimin e saj euroatlantik.
Por është përbuzës e tallës ndaj shqiptarëve të këtij vendi besimi i drejtuesve të kësaj partie se populli nuk e dinë nga buron ai vetëflijim dhe ajo gatishmëri tyre që të japin dorëheqje nga postet ministrore!?
Shkurt, është ofendues bindja e tyre se ne shqiptarët e Maqedonisë jemi aq koktula sa nuk e dimë se ky shtet është bërë si kompani e tyre private, se kryetari i BDI-së me dhëndurë e nipa milionerë, si dhe shumë funksionar tjerë të kësaj partie, kurrë nuk do mund t’i dalin hakut këtij shteti, të cilit ata ia morën të gjitha, por nuk i dhanë thuajse asgjë tjetër përpos papërgjegjësisë e paturpësisë.
Ndërkohë ata kurrë nuk duhet ta zhveshin as edhe ‘kapotën’ properëndimore dhe pro NATO-s, sepse ajo atyre ua mbuloi leninizmin dhe hajdutërinë.
Dhe përderisa kryetari i BDI-së dhe ministrat e tij publikisht viktimizohen për të mirën e Maqedonisë, pra përderisa ata paturpshëm tallen me popullin e vet, ne duhet ta kthejmë shikimin nga vetvetja e të shohim se ku shtet në të vërtet as që na takon neve, se ai është i atyre që nga pabukës u bënë milionerë.
Pra të shohim se ne e meritojmë të na tallin ata që shtetin e konsiderojnë si pronë të veten e popullin si kope dhensh, të cilën kope duhet ta qethësh sa më shpesh, por duke u kujdesur të mos ia gjakosësh lëkurën dhe duke e gënjyer me livadhet e bukura përtej maleve.

Nga Kim Mehmeti