Maqedonia në zi, deri tash identifikohen emrat e 14 viktimave (Video)
Aksidenti i rëndë tragjik që ndodhi dje rreth orës 16:40 në autostradën Shkup – Tetovë, tronditi opinionin në vend. Tragjedia në të cilën u aksidentua autobusi që po shkonte nga Shkupi në drejtim të qytetit të Gostivarit, la të vdekur 14 persona dhe të lënduar rreth 30 të tjerë.
Autobusi i kompanisë Durmo Turs me targa të Gostivarit e humbi kontrollin në afërsi të fshatit Llaskarcë dhe u përmbys duke kaluar nga njëra anë e autostradës në tjetrën dhe duke përfunduar i përmbysur në rrugën e vjetër Shkup-Tetovë. Autobusi ka qenë i mbushur me rreth 50 udhëtarë të cilët kanë qenë duke u kthyer nga puna ose fakulteti për në shtëpi. Gati të gjithë udhëtarët kanë qenë të rinj të moshës 20-40 vjeç. Për të nxjerrë udhëtarët nga autobusi i përmbysur përveç zjarrfikësve ishin edhe banorët lokalë dhe të afërm të udhëtarëve.
Viktimat e identifikuar nga Institut i Mjekësisë Ligjore janë:
Rametulla Abdurraimi,
Valdete Hamiti, (1989), nga Debreshti i Gostivarit, nënë e dy fëmijëve të mitur
Jovica Tërpevski, djali i deputetit Bllagojçe Tërpevski nga Gostivari
Besim Kamberi nga fshati Senakos i Gostivarit
Onur Sadiku, 19-vjeçar nga Gostivari
Esat Emruli nga Gostivari
Ajdin Ismaili, 25 vjeç nga Gostivari
Besim Fetai nga Vrapçishta
Bejza Uzeiri nga Banjica e Poshtme
Zoran Davidovski (1981), punonjës në Qytetin e Shkupit
Tërpana Janevska, pensioniste nga Gostivari
Boban Avramovski, student i FON-it
Dejan Ristevski, i punësuar në Bankën Popullore të Maqedonisë
Pavle Kostoski, nga Gostivari, i sapo diplomuar në Fakultetin Juridik në Shkup.
Ministria e Shëndetësisë informoi se posedojnë gjak të mjaftueshëm për të mjekuar të lënduarit. Për shkak të tragjedisë Maqedonia e Veriut ndodhet në zi kombëtare. Qeveria shpalli dy ditë zie për tërë territorin, ndërsa Gostivari tri ditë zia, pasi pjesa më e madhe e udhëtarëve që kanë qenë në autobus janë nga Gostivari.
Prokuroria Publike po vazhdon hetimin e rastit të aksidentit. Në kuadër të këtij hetimi, përfshihen edhe obduksioni i personave të vdekur, si dhe kontrolli i jashtëzakonshëm teknik i makinës. Prokuroria po ashtu ka lëshuar urdhër që të analizohet gjaku dhe urina e shoferit, I cili është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe është lëshuar në mjekim shtëpial.
Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen, por dyshohet se automjetit i ka plasur goma dhe ka humbur kontrollin.
https://www.youtube.com/watch?v=aFSdu9UiTl0