Me ceremoni solemne, sot Maqedonia e Veriut shënoi pesëvjetorin e anëtarësimit në NATO, raporton Anadolu.
Me rastin e përvjetorit të anëtarësimit në aleancën ushtarake, në kazermën “Ilinden” në Shkup u mbajt ceremoni në të cilën morën pjesë presidentja dhe komandantja supreme e Armatës, Gordana Siljanovska Davkova, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski dhe komandanti i Komandës së Përbashkët Aleate në Napoli, admiral Stuart Munsch.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryeministri Hristijan Mickoski, kryeparlamentari Afrim Gashi si dhe përfaqësues nga kori ushtarako-diplomatik dhe mysafirë të tjerë.
Në fjalën e saj gjatë ceremonisë, presidentja Siljanovska Davkova tha se investimi i vendit në aleancë është njëkohësisht investim në ushtri, “në mburojën e integritetit territorial dhe pavarësisë së Republikës”.
Kriza gjeopolitike nëpër të cilën po kalon bota e bën të nevojshme që të ketë investime më të mëdha në mbrojte dhe teknologjitë e avancuara, tha Siljanovska.
“Prandaj, si shtet, duhet të investojmë në mbrojtjen maqedonase. Do të vazhdojmë të kontribuojmë në paqen, përmes misioneve paqeruajtëse, të udhëhequra nga NATO dhe Kombet e Bashkuara”, tha Siljanovska Davkova.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Lafçiski theksoi sе përvjetori i anëtarësimit të vendit në NATO dëshmon јо vetëm përkushtimin e vendit për sigurinë kolektive, por është edhe reflektim i përkushtimit të palëkundur ndaj vlerave demokratike, lirisë dhe stabilitetit.
“Pesë vjet më parë ne përmbushëm një nga qëllimet tona më të rëndësishme strategjike”, tha Lafçiski, duke vënë në dukje se rruga drejt anëtarësimit në NATO nuk ishte e lehtë.
Ministri i Mbrojtjes, Misajlovski tha se “NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarako-politike dhe organizatë që mbron kufijtë e jashtëm të shteteve anëtare, por një aleancë që, pavarësisht nga të gjitha pikëpamjet e ndryshme për një sërë temash, ka një thelb të përbashkët – kujdesin për njëri-tjetrin”.
Nga ana e tij, admirali Munsch tha se Maqedonia e Veriut ka treguar në mënyrë të përsëritur se është një aleat i fortë dhe i aftë dhe një kontribuues.
Pas fjalimeve, ushtarëve iu nda medalje për pjesëmarrje në mision, ndërsa më pas u mbajt stërvitje ushtarake.
Para fjalimeve u mbajt një minutë heshtje në nder të viktimave të zjarrit në Koçani më 16 mars, në të cilin jetën humbën 59 persona.
Protokolli i anëtarësimit ndërmjet NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut u nënshkrua më 6 shkurt 2019. Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s më 27 mars 2020.