Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Maqedonia e Veriut shënon katër vjetorin e anëtarësimit në NATO

Maqedonia e Veriut shënon katër vjetorin e anëtarësimit në NATO

Në Shkup u mbajt ceremonia qendrore për shënimin e katër vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, raporton Anadolu.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësues nga Qeveria, Parlamenti, Kabineti i Presidentit, përfaqësuesit më të lartë të ushtrisë dhe të trupit diplomatik.

Fjalime mbajtën zv.kryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral brigade Simeon Trajkovski.

Ministrja Petrovska në fjalën e saj theksoi se ndihet krenare që një nga qëllimet strategjike të vendit është arritur katër vjet më parë, duke shtuar se anëtarësimi në NATO mori rëndësi me pushtimin rus në Ukrainë.

“Në këtë ditë, në vitin 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut tregoi se ku takon, cilat janë vlerat tona të përbashkëta dhe cili është vendi ynë si vend që gjithmonë ka qëndruar për paqen, demokracinë, sigurinë dhe stabilitetin”, tha Petrovska.

Ajo shtoi se ushtria maqedonase është pjesë e forcave shumëkombëshe të NATO-s në misione në disa vende.

Petrovska theksoi se Armata do të vazhdojë të zhvillohet dhe modernizohet, do të vazhdojnë proceset e furnizimit me pajisje dhe investimit në kapitalin njerëzor.

Pas fjalimeve, Garda e Ushtrisë realizoi një pikë demonstruese, si dhe u promovuan dy pulla postare të bëra me rastin e katër vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe 75 vjetorit të themelimit të Aleancës.

Exit mobile version