Në fillim të nëntorit, një sërë faktorësh i shtynë autoritetet e Maqedonisë së Veriut të shpallin një “krizë energjetike” në vend, për shkak të vështirësive në sigurimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset. Ky lajmërim shkaktoi frikë te qytetarët, pasi energjia elektrike konsumohet shumë më tepër gjatë dimrit për ngrohjen e shtëpive. Maqedonia e Veriut ende nuk ka ndërtuar një rrjet gazsjellësi në qytetet kryesore dhe vetëm tre qytete aktualisht përdorin gaz për ngrohje.
Maqedonia e Veriut nuk mund të prodhojë dot të gjithë energjinë e nevojshme dhe po mbështetet gjithnjë e më shumë tek importet: kjo është një situatë problematike tani që çmimet e energjisë janë rritur në të gjithë Europën, në mënyrë drastike.
Në vitin 2020, importohej 31% e energjisë së përdorur, por tashmë në vitin 2021, kjo përqindje sigurisht që do të jetë më e lartë. Në Maqedoninë e Veriut, energjia elektrike për përdorime shtëpiake, ka një çmim të rregulluar nga shteti, ndërsa kompanitë mund të blejnë nga tregu ndërkombëtar i energjisë: megjithatë, duke qenë se në BE, energjia elektrike blihet dhe shitet në një treg plotësisht të liberalizuar, çmimet përfundimtare janë tepër të larta për bizneset maqedonase.
Çekuilibri në sistem
Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në vend prodhohet nga kompania shtetërore ESM: 85% prodhohet nga termocentralet me qymyr, 14% nga hidrocentralet dhe 1% nga fermat e turbinave me erë. Ndër termocentralet, më i madhi është “Fabrika e Minierave dhe Energjisë” (REK).
REK e pranon se periudha 2020-2021 ka qenë vërtet e vështirë: në vitin 2020, pati përmbytje, duke e vështirësuar gërmimin e thëngjillit dhe bartjen e tij në termocentrale, ndërsa në vitin 2021, zjarret prishën një nga gjeneratorët e uzinës. Nuk është e qartë se si kompania ESM planifikon të furnizojë REK me thëngjillin e nevojshëm dhe të riaktivizojë të tre blloqet e termocentralit.
Në vitet e fundit, një numër tregtarësh të energjisë elektrike, të cilët furnizonin kompanitë e energjisë elektrike, i kanë anuluar kontratat dhe kanë paguar tarifa shtesë për shkak të rritjes së çmimeve në BE. Si pasojë, të gjitha kompanitë që blenë energji elektrike në tregun e lirë filluan të kërkojnë dhe të marrin energji elektrike nga kompania vendase shtetërore ESM dhe nga Kompania Shtetërore dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike (MEPSO), gjë që çoi në një çekuilibër në sektorin e energjisë.
Një plan shpëtimi
Autoritetet kanë shpallur gjendjen e krizës energjetike, por i siguruan qytetarët se ajo është shpallur vetëm me synimin për të siguruar mbijetesën e kompanive energjetike përmes transfertave buxhetore, dhe nuk do të shkaktojë kufizime në furnizimin me energji të popullsisë. Megjithatë, ekspertët janë të shqetësuar dhe paralajmërojnë se ka pasur reagim të vonuar ndaj urgjencës.
“Tani për tani, nuk parashikohen masa kufizuese, situata e krizës u deklarua që të mund të injektojmë mjete buxhetore drejt e në kompanitë energjetike, përfshirë ESM dhe MEPSO, për të rritur likuiditetin e tyre dhe për të mbështetur importin e energjisë elektrike, pasi kapacitetet tona aktualisht janë të kufizuara”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në një fjalim televiziv.
Sipas vlerësimeve, MEPSO-s do t’i nevojiten dhjetëra miliona euro nga buxheti për të paguar energjinë elektrike që po blihet nga tregu europian. Pyetja është se sa e aftë do të jetë MEPSO për të përballuar sfidën, pra të blejë me çmim të shtrenjtë energji elektrike nga BE-ja, pa rritur çmimet për familjet. Ndërkohë, rrjeti energjetik europian e ka paralajmëruar Maqedoninë e Veriut që të ndalojë përthithjen e energjisë elektrike nga sistemi pa leje, siç ka bërë vazhdimisht vendi për të përmbushur nevojat e veta.
Drejtori i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani, tha për mediat vendase se në vitin 2015, energjia elektrike e importuar përbënte 33% të konsumit të përgjithshëm, ndërsa në vitin 2020 dhe 2021, importet u rritën ndjeshëm deri në një milion euro energji elektrike në ditë, sipas çmimeve të tanishme në bursën europiane.
“Duke qenë se nuk mund të prodhojmë dot aq sa shpenzojmë, ne filluam ta transferojmë çekuilibrin tonë edhe në rrjetin europian, gjë që është e gabuar. Duhet të rrisim prodhimin vendas me sa të mundemi, ose do të jemi të detyruar të importojmë me çmimet aktuale, të cilat arrijnë në 270 euro për megavat/orë”, tha Ramadani.
Profesori dhe eksperti energjetik Konstatin Dimitrov, tha për mediat lokale se nuk ka transparencë të mjaftueshme nga autoritetet mbi mënyrën se si janë shkaktuar borxhe me vlerë disa miliona euro ndaj rrjeteve të BE-së dhe paralajmëroi se, sipas dekretit për krizën energjetike, nuk ka asnjë dispozitë për mbajtje përgjegjësie.
“Dekreti praktikisht i çliron nga përgjegjësia të gjithë ata që nuk përmbushin detyrimet ndaj kompanive. Kjo është shumë e gabuar. Ata nuk do të mbajnë asnjë përgjegjësi për diçka që kanë rënë dakord, dhe nuk e kanë realizuar. As MEPSO si operator, as ESM, as EVN dhe asnjë kompani tjetër. Ata që nuk e menduan dhe nuk e organizuan punën siç duhet, çlirohen nga përgjegjësia”, paralajmëron Dimitrov.
Qeveria nuk dëshiron të flasë për përgjegjësinë e drejtuesve dhe kërkon mirëkuptim tani që duhet të përballet me krizën. “Tani nuk është koha për të hapur një temë të tillë, por për t’u marrë me krizën. Menaxherët që kanë punuar në mënyrë të papërgjegjshme, duhet të mbahen përgjegjës”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Familjet paguajnë çmimin e krizës
Për shkak të mungesës së gazit për ngrohjen e shtëpive, shumë familje në Maqedoninë e Veriut përdorin soba termike për ngrohje. Këto soba mundësojnë ngrohje me tarifa më të ulëta të energjisë elektrike. Prandaj qytetarët kanë frikë nga rritja e çmimeve, të cilat pritet të ndryshojnë në vitin 2022.
Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimovski, siguroi se si organ rregullator, ata do t’i përdorin të gjitha mekanizmat që kanë në dispozicion për të mbajtur nën kontroll çmimin e energjisë elektrike.
Dekreti për krizën energjetike, parashikon se nëse nuk do të ketë energji elektrike të mjaftueshme, të parat që do të kufizohen në konsumin e energjisë elektrike, do të jenë reklamat me ndriçim në rrugë, gjithashtu ndriçimi i rrugëve, shesheve dhe ndërtesave të tjera, do të ulet në nivelin minimal të sigurisë së ndriçimit, po ashtu ndriçimi i vitrinave të dyqaneve do të kufizohet në nivelin minimal të sigurisë dhe mund të ndalohet edhe përdorimi i energjisë elektrike për ngrohjen shtesë të ambienteve të zyrave të bizneseve të mëdha.
Autoritetet kanë siguruar se nuk do të ketë kufizime për familjet dhe bizneset e vogla, por këto fjalë nuk janë shumë ngushëlluese, duke qenë se kriza mund të shkaktojë rritje çmimesh. Sidoqoftë, është e sigurt se nuk do të ketë rritje të çmimit deri në Vitin e Ri, sepse deri në atë kohë, nuk do të korrigjohet çmimi i energjisë elektrike. Por periudha në vijim, nuk është e sigurt. Gjithçka do të varet nga kapaciteti për prodhim vendor, për të cilin kushti paraprak është nxjerrja e qymyrit. /observatori/monitor