Maqedonia e Veriut nga nesër në fazën portokalli, MSH me rekomandime për mbrojtje nga temperaturat e larta

Ministria e Shëndetësisë njofton se sipas informacioneve të marra nga alarmi i motit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, në katër ditët e ardhshme, nga e enjtja deri të dielën (21-24.07.2022), Maqedoni e Veriut do të preket nga temperatura të larta të fazës portokalli.

“I gjithë territori i vendit do të kaplohet nga temperaturat e larta të fazës portokalli dhe gjatë kësaj periudhe do të vlejnë rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, sipas Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit mbi shëndetin e qytetarëve.
1. Lirohen nga detyrat e punës grupet më të rrezikuara të popullsisë, si – gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë.

2. Në institucionet për kujdes të fëmijëve (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në periudhën prej orës 11:00 deri në 17:00

3. Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit të ofrojnë ndihmë për të moshuarit, të pafuqishmit dhe të pastrehët.

4. Duke pasur parasysh faktin se disa procese të rrezikshme prodhimi dhe teknologjike mund të përbëjnë një rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë”, njoftojnë nga MSH. /shenja