Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që të ndalojë përkohësisht eksportin e miellit drejt vendeve të treta.
Ndalim i përkohshëm i eksportit të miellit drejt vendeve të treta, krijimi i një fondi për turizëm për të mbështetur industrinë e turizmit, kërkesë drejtuar SHDAM-së për të ndaluar kërkesat nga restorantet dhe hotelet janë pjesë e masave të Ministrisë së Ekonomisë për të zbutur pasojat e virusit Kovid-19. Në fillim të kësaj jave, Qeveria vendosi të ngrijë çmimet e mallrave për të shmangur tronditjet e çmimeve.
“Në mbledhjen e Qeverisë të hënën, ne vendosëm të ngrijmë çmimet e produkteve themelore ushqimore, përfshirë bukën, kripën, vajin, qumështin dhe produktet e qumështit, vezët, miellin, mishin, makaronat, ilaçet dhe dezinfektuesit. Ditët e kaluara ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë të kërkesës në rritje të qytetarëve që kanë blerë në sasi të mëdha nga frika e rritjes së çmimeve të mallrave. Për të mos rritur çmimet nën presionin e kërkesës dhe si rezultat i masave për të mbrojtur tregun e vendeve fqinje, menjëherë vendosëm të merrnim këtë vendim. Dua të siguroj qytetarët duke deklaruar se në konsultim me supermarketet më të mëdha dhe shpërndarësit e ushqimeve dhe mallrave kemi ardhur në përfundim që kemi rezerva të mjaftueshme, por ne kemi vendosur të veprojmë në mënyrë parandaluese për të parandaluar tronditjet e mëtejshme të çmimeve”, deklaroi Ministri Bekteshi në promovimin e masave ekonomike për ballafaqim me koronavirusin sot në hapësirat e Qeverisë, raportojnë mediet në Mqedoninë e Veriut.
Ministri theksoi se për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve të ushqimit, Ministria e Ekonomisë propozoi ndalimin e eksportit të miellit të grurit në të gjitha vendet në kohë të pacaktuar.
“Për momentin, së bashku me Ministrinë e bujqësisë dhe Administratën doganore, ne jemi duke ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për zbatimin e kësaj mase. Maqedonia e Veriut është një vend i varur nga importi, veçanërisht në fushën e miellit dhe grurit. Ne kemi marrë këtë masë për të mbrojtur prodhuesit vendas të miellit, por jo për të rritur çmimin e bukës nëse kjo situatë me koronavirusin zgjatet. Në të njëjtën kohë, dëshiroj t’ju informoj se Administrata doganore, së bashku me Ministrinë e bujqësisë, po ndjek trendin e eksportit të vajit të rafinuar të lulediellit për gatim, orizin, ëmbëlsirat dhe produktet e pjekjes (makarona, biskota, etj.) dhe si Qeveri kemi miratuar edhe një rekomandim për industrinë e miellit dhe furrave gjithashtu të marrë në konsideratë kuotën pa taksa për importet e grurit nga vendet anëtare të OBT-së në shumën prej 80.000 ton,” theksoi ministri Bekteshi.