Maqedonia: Ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?

Ardian Muhaj

Në kontekstin gjeopolitik të Ballkanit, Maqedonia si rajon i gjerë ka qenë gjithmonë një fokus i vëmendjes për shkak të pozicionit të saj strategjik dhe kompleksitetit të historisë së saj, duke qenë një rajon dhe, më pas, edhe një vend me një diversitet të pasur gjeografik dhe kulturor. Përgjatë shekujve, Maqedonia ka ndryshuar si rajon dhe si identitet, duke reflektuar në mënyrë të qartë rrugëtimin e historisë së saj.

Ardian MUHAJ, Tiranë

Këndvështrime të vëngërta dhe përkufizime të përkundërta

Nga e kaluara e saj e lashtë deri te zhvillimet e vrullshme moderne, Maqedonia si rajon i gjerë ka qenë dëshmitare e ngjarjeve që kanë formuar jo vetëm fatin e saj, por edhe të rajonit në tërësi. Duke u ndodhur në një hapësirë në udhëkryq gjeografik, kjo pa dyshim ka ndikuar në një masë të caktuar edhe në fatin e saj historik. Aktorët kryesorë etnikë, ashtu sikurse edhe fqinjët kanë pasur, kanë dhe ka gjasa të vazhdojnë të kenë perceptime të ndryshme dhe ndonjëherë të kundërta lidhur me identitetin, kulturën dhe vendin e Maqedonisë dhe banorëve të saj në botë dhe në histori.

Për Greqinë, emri Maqedoni ka qenë i lidhur ngushtë me identitetin e saj kombëtar dhe historinë e lashtë, duke e shikuar përpjekjen e shtetit të sotëm të Maqedonisë së Veriut për ta marrë krejt trashëgiminë simbolike dhe historike të Maqedonisë së lashtë si një sfidë ndaj identitetit helen. Kjo ka shkaktuar tensione të mëdha dhe ka qenë një pikë e përplasjeve politike midis dy vendeve për shumë vite. Për vëzhguesit e jashtëm, përballja mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për emrin Maqedoni ka qenë shumë e vështirë për t’u kuptuar. Megjithatë, ky është rasti tipik që dëshmon sa shumë simbolizmi politik dhe ekspansionizmi ose babëzia historiografike ndikon shtete e shoqëri që janë xheloze për identitetin e tyre, qoftë të trashëguar, qoftë të ndërtuar rishtazi, qoftë të projektuar për t’u ndërtuar në të ardhmen. Nga ana e tyre, bullgarët e shikojnë Maqedoninë e Veriut si një pjesë të trashëgimisë së tyre historike dhe kjo ka bërë që të ketë ende tensione midis këtyre dy vendeve, sidomos në lidhje me interpretimin e historisë së përbashkët dhe statusin e minoritetit bullgar në Maqedoni.

Një pasqyrë historike

Në kontekstin gjeopolitik të Ballkanit, Maqedonia – si rajon i gjerë – ka qenë gjithmonë një fokus i vëmendjes për shkak të pozicionit të saj strategjik dhe kompleksitetit të historisë së saj, duke qenë një rajon dhe më pas edhe një vend me një diversitet të pasur gjeografik dhe kulturor. Përgjatë shekujve, Maqedonia ka ndryshuar si rajon dhe si identitet, duke reflektuar në mënyrë të qartë rrugëtimin e historisë së saj. Në kohët e lashta kjo trevë ka qenë hapësirë e civilizimeve të hershme. Epoka historike e Maqedonisë fillon me mbretëritë e lashta ilire dhe maqedone, ku figura si Mbreti Aleksandër i Madh u bënë simbol i fuqisë dhe rrezatimit të jashtëzakonshëm. Pas periudhës së Aleksandrit të Madh, rajoni kaloi nën sundimin e shumë fuqive, përfshirë rmakët, bizantinët dhe, më vonë, Perandorinë Osmane. Shkupi ka qenë gjithnjë, edhe përkundër harrimit të emrit të Maqedonisë nga banorët e sundimtarët e vazhdueshëm të asaj hapësire, një spirancë e rëndësishme në dallgët e historisë. Kodrina që sot, ashtu sikurse në lashtësi, mesjetë e modernitet ka qenë kalaja e qytetit mbi Vardar, ka ushtruar përherë ndikimin e vet mbi hapësirën përreth. Këto periudha të ndërlikuara historike jo vetëm që formuan peizazhin politik dhe social të vendit, por edhe krijuan një mozaik të pasur kulturor që mbijeton edhe sot e kësaj dite.

Një nga sfidat kryesore me të cilat Maqedonia u përball ishte krijimi i një identiteti modern dhe i një shoqërie multietnike. Me një popullsi të përzier në aspektin e përbërjes etnike, Maqedonia u paraqit në skenën gjeopolitike të fundshekullit XX si një shtet që përpiqet të ndërtojë një shoqëri të bashkuar dhe të harmonizuar. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Maqedonia u bë shtet i pavarur në vitin 1991, për fatin e saj pa luftë dhe pa kontestime nga Beogradi, por menjëherë i kontestuar nga Athina për arsyen e sipërthënë të përvetësimit simbolik të trashëgimisë së krejt rajonit të gjerë të Maqedonisë historike nga shteti i sapokrijuar i Maqedonisë.

Ky ndërlikim, jo lehtësisht i perceptueshëm, solli deri aty, saqë në arenën dhe në rendin ndërkombtar shteti i sapokrijuar i Maqedonisë të njihej përmes akronimeve ose shkurtesave. Këto ngatërresa ishin mjaftueshëm të koklavitura, saqë edhe shkurtesa në fakt ishte një emër dyrrokësh, mjaftueshëm i gjatë në vetvete – FYROM.

Realiteti i sotëm

Sot, Maqedonia e Veriut, siç njihet zyrtarisht pas marrëveshjes së Prespës me Greqinë në 2018, është një shtet që paraqitet si multietnik dhe multikulturor. Vendimi për ndryshimin e emrit ishte një hap i rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe NATO, duke pasqyruar aspiratat euro-atlantike të vendit. Maqedonia e Veriut mbetet një aktor i rëndësishëm në skenën gjeopolitike të Ballkanit. Kjo vjen për shkak të pozicionit të saj strategjik si një vend tranzit për energjinë dhe një pikë e rëndësishme për ekuilibrin gjeopolitik rajonal dhe ndërkombëtar. Ka një dakordësi të dukshme në kancelaritë botërore që mëton se vetë Maqedonia e Veriut është krijuar dhe duhet të jetojë si nevojë e mbajtjes së këtij ekuilibri rajonal e gjeopolitik. Përveç kësaj, Maqedonia është një vend me një potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe integrim në strukturat europiane dhe atlantike.

Përpjekjet për stabilitet politik, integrim në strukturat euroatlantike, si NATO, dhe aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Europian janë pika të rëndësishme të agjendës së saj politike, ashtu sikurse për të gjitha vendet e rajonit me përjashtim të Serbisë. Marrëdhëniet ndëretnike, veçanërisht midis sllavëve dhe shqiptarëve, mbeten një sfidë, por edhe një test, për të ndërtuar një shoqëri më të përfshirë dhe të drejtë. Maqedonia paraqitet si një skenë ku bashkëjetesa dhe sfidat zhvillohen paralelisht, duke nxjerrë në pah një mozaik të pasur, por edhe të ndërlikuar të marrëdhënieve ndëretnike.

Shqiptarët pa dyshim që luajnë një rol themeltar në përbërjen e saj etnike dhe kulturore. Historikisht, shqiptarët në Maqedoni janë përfshirë me këmbëngulje të vazhdueshme në luftën për të drejtat e tyre, duke kërkuar njohje dhe respektim të identitetit kombtar, kulturor, gjuhësor dhe politik. Pas përfundimit të konfliktit të armatosur në vitin 2001, Marrëveshja e Ohrit u shënua si një hap i madh drejt stabilizimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe garantimit të të drejtave të shqiptarëve. Kjo marrëveshje solli ndryshime kushtetuese që synonin të përmirësonin përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe ta njohin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në rajonet ku shqiptarët përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë.

Shikimi drejt të ardhmes

Nëse Maqedonia do të shërbejë si një forcë e unifikuar dhe e stabilizuar në Ballkan ose si një pikë e përplasjeve dhe tensioneve, kjo është një pikëpyetje që i mbetet si përgjigje së ardhmes. Megjithatë, një gjë mbetet e qartë: Maqedonia është dhe do të mbetet një pikë përthyerjeje në peizazhin gjeopolitik të Ballkanit, duke reflektuar në mënyrë të qartë historinë dhe sfidat e një rajoni të ndërlikuar dhe të ndryshueshëm. Ndërsa Maqedonia e Veriut vazhdon të ecë në këtë udhëtim, sfidat dhe mundësitë që do të hasë janë të paqarta dhe do të kërkojnë përfshirjen e të gjithë aktorëve në shoqëri. Përpjekja e kaluar dhe e tashme për nënvlerësimin e shqiptarëve duhet kapërcyer me guxim nga vetë maqedonasit e ndërgjegjshëm për rëndësinë e ekzistencës së Maqedonisë së Veriut. Maqedonizmi duhet t’i këndvështrojë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut si aleatë të pashmangshëm dhe të domosdoshëm dhe, njëkohësisht, shqiptarët në tërësi si aleatët pa pranimin e të cilëve Maqedonia e Veriut nuk mund të përparojë e sigurt drejt së ardhmes. Nëse Greqia e ka mbyllur kontestimin e vet ndaj shtetit maqedonoverior dhe Bullgaria është drejt asaj pike, shqiptaria nuk mund të bëjë sikur nuk i vëren dhe nuk interesohet për shqiptarët në Maqedoni të Veriut. Për Maqedoninë e Veriut shqiptarët janë jo vetëm një aleat rajonal e ndërkombtar, por njëkohësisht edhe brendashtetëror e brendakombtar. Natyrisht, që pas ekuilibrimit të brendshëm edhe përkushtimi ndaj dialogut, tolerancës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar do të jetë thelbësor në formësimin e të ardhmes së saj.

Pra, edhe pse duket se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut do të jetë e lidhur ngushtë me rrugën e saj drejt integrimit europian, në fakt ajo që do e përcaktojë të ardhmen e këtij shteti do të jenë të drejtat që do të gëzojnë shqiptarët. Shumica relative e maqedonasve sllavë duhet të mos e ushqejë vazhdimin e nënrespektimit të të drejtave të shqiptarëve, duke e zvogëluar artificialisht rëndësinë e tyre në pjesëmarrjen demokratike dhe në ushtrimin e pushtetit. Top of FormNë këtë kontekst, Maqedonia e Veriut ka shansin të shërbejë si një shembull i suksesit të transformimit dhe integrimit, duke treguar se, pavarësisht sfidave, një e ardhme më e mirë është e mundur përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët.

Megjithatë, rruga drejt harmonisë ndëretnike nuk ka me qenë aspak e lehtë. Sfidat vazhdojnë të ekzistojnë, përfshirë diskriminimin më shumë të fshehtë sesa të hapur, pengesat në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe luftën për drejtësi ekonomike dhe sociale. Veçanërisht në fushën e arsimit dhe të punësimit, shqiptarët përballen me sfida të mëdha në arritjen e drejtësisë dhe përfaqësimit të duhur. Përparimet e arritura në disa fusha, si përdorimi i gjuhës shqipe në administratën publike dhe në shkolla, ashtu sikurse rritja e pjesëmarrjes politike të shqiptarëve, nuk janë të mjaftueshme për një të ardhme të ndritur. Nga ana e vet, çdo vonesë dhe pamjaftueshmëri serioziteti në përmbushjen e angazhimeve për drejtësi kombëtare pa dyshim që lë gjurmët e veta në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut dhe gjurmët e padrejtësisë mbyllen vetëm me drejtësi. Sa më e madhe padrejtësia e akumuluar në të kaluarën, aq më e madhe do të jetë drejtësia e kërkuar në të ardhmen. Sa më e rëndë barra e diskriminimit të kaluar, aq më e madhe do të jetë pesha e drejtësimit të së kaluarës që do u trashëgohet brezave të ardhshëm.

Prandaj në thelb, e ardhmja e Maqedonisë do të varet nga aftësia e saj për të zbatuar reforma të thella, serioze, të përgjegjshme historikisht për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë për të gjithë. Ndërsa rruga drejt bashkëjetesës së qëndrueshme mbetet e mbushur me sfida, dialogu dhe përpjekjet për të kuptuar dhe vlerësuar diversitetin e brendshëm të Maqedonisë së Veriut janë çelësat për të ndërtuar një të ardhme për të gjithë qytetarët e saj. Vetëm në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut do të jetë në gjendje ta shfrytëzojë potencialin e saj të plotë dhe të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Trajtimi i shqiptarëve si minoritet e bën Maqedoninë e Veriut një vend që përpiqet të projektojë një realitet etnik të sforcuar nga maqedonizmi në zhvillim e përshtatje të vazhdueshme. Duhet kutptuar nga të gjithë aktorët vendas dhe faktorët ndërkombtarë se shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të trajtohen si minoritet. Pa shqiptarët nuk mund të ketë Maqedoni, sepse pa shqiptarët autoktonë nuk ka pasur asnjëherë Maqedoni, as në historinë e afërt, as në historinë e lashtë. /revistashenja