Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut në një mbledhje të mbajtur rreth aktiviteteve gjatë muajit të Ramazanit, i cili fillon nga 24 prilli, ka marrë disa vendime për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), duke përfshirë edhe pezullimin e faljes së namazit në xhami, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga BFI-ja, theksohet se për çdo ditë gjatë muajit të Ramazanit në xhami do të qëndrojnë imami, myezini, kryetari i Mexhlisit të Xhamisë apo njëri nga anëtarët e Mexhlisit, me qëllim për të qenë në “lidhshmëri të përhershme” me besimtarët.
“Gjatë muajit të Ramazanit në çdo kohë të namazit të thirret ezani, ndërkaq pas namazit të drekës të lexohet mukabele, mundësisht ajo të dëgjohet edhe jashtë xhamisë”, theksojnë nga BFI.
Ndër masat e ndërmarra nga bashkësia islame e vendit, po ashtu theksohet se duke filluar nga muaji prill të gjithë të punësuarit në BFI, përfshirë të punësuarit në institucione edukativo-arsimore dhe në subjekte e shoqata të themeluara nga BFI, do të marrin rrogë minimale prej 14.500 denarë.
Duke mos përmendur kohën deri kur do të jetë në fuqi kjo masë, BFI thekson se është ndërmarrë për shkak të “krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia të cilën e përjetojmë dhe me të cilën jemi duke u ballafaquar”.
BFI po ashtu apelon që gjatë muajit të Ramazanit të shfrytëzohen maksimalisht mjetet e informimit për të mbajtur ligjërata me tematikë fetare.
Autoritetet shëndetësore të vendit së fundmi njoftuan se numri i rasteve të konfirmuar me koronavirus në vend është 1.170, me 49 vdekje dhe 164 të shëruar.