Nuk ka kaluar një javë nga shkatërrimi i Shtëpisë së Alfabetit Shqiptar, në Manastir janë hedhur të tjera pllakate me mbishkrime “Vdekje për shqiptarët” dhe “Stop shqiptarizimit të Maqedonisë”.
Kësaj radhe mbishkrimet janë vendosur te Drejtoria e parkut nacional “Pelisteri”. Pllakatet e vendosura janë të njëjta me ato që u vendosën më 22 nëntor te Shtëpia e Alfabetit, në përvjetorin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit, kur edhe u shkatërrua Shtëpia Muze.
Provokime të tilla ndodhin vazhdimisht në prag të zgjedhjeve te Muzeu i Alfabetit. Për shkak se autorët nuk zbulohen asnjëherë nga policia, shumë analistë supozojnë se pas këtyre dëmtimeve qëndrojnë partitë në pushtet, të cilat mënyrën më të lehtë e për të fituar zgjedhjet e kanë nxitjen e urrejtjes ndëretnike.
Për këtë arsye, analistët apelojnë që shqiptarët të votojnë kundër partisë në pushtet, sepse vetëm në atë mënyrë mund të ndalen këto lloj provokime, shkruan gazeta maqedonase, Lajmpress.