Ballina Lajmet Maqedoni: Shifra alarmante të vdekshmërisë së foshnjave

Maqedoni: Shifra alarmante të vdekshmërisë së foshnjave

Shifra alarmante të vdekshmërisë së foshnjave edhe gjatë këtij viti në Maqedoni.

Gjatë tre muajve të parë të 2018-tës në Klinikën për Gjinekologji në Shkup kanë vdekur 35 foshnja nga gjithsej 1,155 të lindura. Ministria e Shëndetësisë thotë se shkak për këtë gjendje është lindja para kohe dhe mos-formimi i organeve të foshnjave, derisa për përmirësimin e kësaj gjendje sipas kësaj ministrie nevojitet periudhë më e gjatë kohore.

Foshnjat e vdekura gjatë periudhës nga janari e deri në mars të këtij viti bëjnë pjesë në kategorinë e foshnjave të lindura para kohe. Potencojmë se vetëm njëra nga foshnjat e vdekura ka lindur në terminin e caktuar, por me anomali të organeve e cila është e pamundur të shërohet. Sipas statistikave, rreth 80% e foshnjave kanë ndërruar jetë për shkak të mos-zhvillimit të skajshëm të organeve dhe për shkak të peshës tepër të ulët – thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër të dhënat e UNICEF-it tregojnë se Maqedonia është vendi i vetëm në gjithë rajonin i cili shënon rritje të theksuar të vdekshmërisë së foshnjave.

Në gjithë rajonin, Maqedonia shënon nivel më të lartë të vdekshmërisë së foshnjave. Në vendet e rajonit ka trend të rënies së vdekshmërisë së bebeve, ndërsa vendi jonë është shteti i vetëm në rajon që nga 2010 i cili ka trend të rritjes së nivelit të vdekshmërisë, që është alarmante. Ka shumë faktorë të cilët ndikojnë në këtë gjendje, gjëja e parë është se shtatzënat nuk kryejnë kontrolle të rregullta mjekësore, posaçërisht nëpër vendet rurale është e vështirë qasja deri tek mjeku, dhe kështu ata nuk mund ta dinë nëse kanë komplikime.

Njerëzit mendojnë se përmirësimi i shërbimeve shëndetësore ka të bëjë me ndërtimin e objekteve të mëdha dhe blerjen e aparaturave, por çështja është tek faktori njeri dhe investimi në të – deklaroi Benjamin Perks, përfaqësues i UNICEF-it Maqedoni, raporton Alsat M.

Sipas Unicefit ajri i ndotur është njëri nga faktorët e rëndësishëm që sjellë këtë gjendje, ndërkaq rekomandojnë që të bëhet locimi i problemit dhe të dihet saktësisht se cilët janë shkaqet që sjellin këtë gjendje. Gjatë muajit mars ministria e Shëndetësisë ka bërë vlerësimin e kushteve nëpër shumë spitale ku kryhen lindje si dhe ka bërë definimin nivelit të shërbimeve shëndetësore. Gjatë periudhës që vjen pritet që raporti i këtyre inspektimeve të arrijë dhe në bazë të tyre edhe të ndërmerren masa të caktuara eventuale.

Exit mobile version