Maqedoni, përveç derivateve të naftës, pritet ulja e çmimit të produkteve bazë të ushqimit

Pas uljes së çmimit të karburanteve, prej sot pritet të ketë korrigjime edhe në çmimet e produkteve ushqimore bazë, në përputhje me masat e anti krizë të qeverisë dhe ndryshimet ligjore për lartësinë e akcizës dhe normën e TVSH-së që të premten morën dritën jeshile në Kuvend.

Ekipet e servisimit në bashkëpunim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike do të harmonizojnë aparatet pas miratimit të ndryshimeve ligjore për ulje të TVSH-së, pas çka pritet ulja e çmimeve për produktet bazë të ushqimit, transmeton TV21. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Beketeshi tha se kjo procedurë pritet të përfundojë në fillim të kësaj jave, gjegjësisht sot ose nesër.

“Në pjesën e produkteve bazë të ushqimit, pasi aparatet fiskale do të harmonizohen me TVSH-në e re, do të thotë diku të hënën ose të martën menjëherë do të nis zbatimi”, tha mes tjerash Bekteshi.

Duhet të harmonizohen çmimet e bukës, miellit, sheqerit, vajit të lulediellit, qumështit të lopës, mishit, orizit, vezëve. Për ta është ulur norma e TVSH-së nga 5 në 0 për qind dhe kjo masë do të zgjasë deri në fund të majit. Në të njëjtën kohë, marzhet për përfitim disa produkte janë ngrirë, si dhe janë hequr taksat doganore për importin e produkteve ushqimeve bazë.

Pakoja e masave kundër krizës për përballimin e goditjes së çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë, përveç uljes së TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind, si dhe akcizës për 1, 2 ose 4 denarë, e cila ka çuar tashmë në uljen e benzinës dhe naftës, parashikon zgjatjen e normës preferenciale të TVSH-së 5 për qind për energjinë elektrike për amvisëritë deri në fund të vitit.

Shkalla e TVSH-së për shitjen e energjisë ulet nga 18 në 10 për qind dhe hiqet taksa për importin e gazit, energjisë elektrike dhe ngrohjes.

Ulja e taksave ndikon drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar që qytetarët paguajnë për produktet ushqimore bazë, ulja e TVSH-së për derivatet e naftës amortizon çmimin përfundimtar të derivateve, ndërsa me zgjatjen e normës preferenciale të TVSH-së për energjinë elektrike ulen kostot e energjisë.

Nga Qeveria dhe institucionet kompetente për zbatimin e masave apelojnë tek tregtarët që të zbatojnë siç duhet zgjidhjet nga ligji, përkatësisht të bëjnë rregullime në pajisjet e tyre fiskale. Ata thonë se ndryshimet ligjore të miratuara parashikojnë mekanizma që Qeveria do të mund t’i përdorë në të ardhmen nëse do të jetë nevoja për të shmangur çdo spekulim dhe goditje çmimesh të qytetarëve dhe ekonomisë.

Seti prej 26 masash anti krizë parasheh edhe subvencionimin e qytetarëve për energji elektrike. Kategoritë më të rrezikuara në periudhën nga prilli deri në qershor do të marrin vauçer në vlerë prej 1000 denarë për çdo muaj, të cilat do të përdoren për blerjen e produkteve ushqimore bazë. Për të gjithë pensionistët, duke filluar nga pensioni i muajit mars dhe duke përfunduar me pensionin e majit, përveç pensionit janë paraparë subvencione shtesë prej 1.000 denarë.

Ministri i Financave Fatmir Besim pretendon se masat e miratuara prej 400 milionë eurosh nuk do të ndikojnë në likuiditetin e thesarit të shtetit. Buxheti është likuid, rezervat devizore janë rritur, denari është stabil, thotë Besimi. Ai u bëri thirrje institucioneve, komunave, biznesmenëve dhe qytetarëve që të jenë racionalë në shpenzimin e energjisë dhe të mos iu nënshtrohen spekulimeve që janë në dëm të buxhetit personal, duke theksuar se të gjitha masat merren në kohën e duhur dhe se nuk ka vend për panik.

Edhe nga Banka Popullore thonë se denari është stabil dhe do të mbetet i stabil. Nuk ka arsye për ndryshim të kursit, kjo nuk do të jetë e dobishme për askënd, shprehet guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.

Ajo bën të ditur se Banka Popullore ka kapacitete dhe instrumentarium për të mbrojtur kursin e denarit, nëse paraqitet nevoja për këtë, për çka flasin edhe thuajse tre dekadat e shkuara, kur nëpër shumë kriza është ruajtur me sukses stabiliteti i valutës vendore. Rezervat devizore janë të larta dhe arrijnë në 3,4 miliardë euro ose janë në nivelin dyfish më të lartë krahasuar me vitin 2008, që ishte vit i krizës globale financiare, ndërsa stabiliteti i denarit është ruajtur me sukses.

Në raport me informacionet se në treg nuk ka deviza, guvernatorja shprehet se kjo nuk është e vërtetë dhe u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e spekulimeve të këtilla.

“Më duhet ta adresoj këtë çështje, meqë realisht këto spekulime u shkaktojnë qytetarëve dëm material. Jemi dëshmitarë se, në kohën kur flitet për krizë, disa qytetarë ende po i rreken konvertimit të kursimeve në deviza ose të blejnë para të gatshmë në deviza. Përveç kësaj, shfaqen edhe spekulime se në treg nuk ka deviza, gjë që absolutisht nuk është e saktë. Në këtë mënyrë krijohet panik i pabazë dhe qytetarët, në bazë të spekulimeve, paguajnë edhe çmim më të lartë për ndryshimin e valutave dhe humbasin mjetet”, thekson guvernatorja.