Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka informuar se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 46 raste të reja të infektimit me koronavirusin e ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i rasteve është rritur në 663, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga ministria informojnë se numri i personave që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi mbetet 30, ndërsa 37 pacientë janë shëruar.
Sipas informatave të ministrisë, numri më i madh i rasteve të reja janë regjistruar në Kumanovë (13) dhe Shkup (12). Nga tetë raste janë konfirmuar në Prilep dhe Veles, dy raste janë regjistruar në Strugë, ndërsa nga një rast i ri është konfirmuar në Tetovë, Koçani dhe Probishtip.
Sa i përket numrit të përgjithshëm të rasteve, në Shkup janë regjistruar gjithsej 273 raste, ndërsa në Kumanovë 143. Qytetet tjera ku janë regjistruar më shumë raste janë Dibra me 49 dhe Prilepi me 46, ndërsa raste të konfirmuara ka në pothuajse të gjitha qytetet në vend.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë bërë 341 teste të COVID-19, me çka numri i përgjithshëm i testeve të bëra në vend është 6.571.
Kujtojmë se nga dje, në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi masat e reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, duke kufizuar lëvizjen e lirë brenda javës nga ora 16:00 deri në orën 05:00 ndërsa ditëve të fundjavës duke filluar nga e premtja në orën 16:00 deri të hënën në orën 05:00.
Më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me qëllim lehtësimin e luftës kundër përhapjes së koronavirusit.