Besimtarët muslimanë në Maqedoninë e Veriut për herë të parë këtë vit kanë falur namazin e teravisë me praninë e besimtarëve nëpër xhami, raporton Anadolu Agency (AA).
Prej fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, në Maqedoninë e Veriut janë zbatuar masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), duke përfshirë edhe orën policore e cila fillimisht ishte në fuqi nga ora 20:00, e më pas nga ora 21:00, që pamundësonte faljen e namazit të teravisë me praninë e besimtarëve nëpër xhami.
Sipas vendimit qeveritar të miratuar më 27 prill, ndalesa për lëvizje fillon prej orës 21:00, ndërsa përjashtim nga ndalesa dhe regjimi i posaçëm i lëvizjes janë orët e mbrëmjes mes 1 dhe 2 majit, gjegjësisht gjatë festës fetare të Pashkëve.
Besimtarët muslimanë kanë shfrytëzuar këtë përjashtim për të falur për herë të parë namazin e teravisë në xhami, duke pasur parasysh se deri në fund të muajit të Ramazanit nuk është paraparë ndonjë përjashtim tjetër.
Përpos kësaj, qeveria ka vendosur që përjashtimi të vlejë edhe mbrëmjen mes 13 dhe 14 majit, gjegjësisht gjatë festës fetare të Bajramit. /aa