Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se janë regjistruar 47 pacientë të tjerë të shëruar nga koronavirusi i ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i personave të shëruar rritet në 992, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë tha se një person ka vdekur nga koronavirusi, duke e çuar në 85 numrin e viktimave nga pandemia.
Në 24 orët e fundit po ashtu janë konfirmuar 7 raste të reja me COVID-19, ndërsa që nga shpërthimi i pandemisë, në vend janë konfirmuar gjithsej 1.518 të diagnostikuar me virusin.
Në 24 orët e kaluara janë kryer 113 teste, me çka numri i përgjithshëm i testeve të kryera arrin në 17.359.
Në kuadër të masave për luftimin e koronavirusit, vendi ka mbyllur institucionet arsimore, restoranet, kafenetë dhe baret, ndërkohë që zbaton kufizimin e lëvizjes së lirë, gjegjësisht orën policore.