Maqedonci: Nuk bëhet fjalë për rizotim, marrëveshja për mosdërgimin e FSK-së në veri është e vitit 2013

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci për Tëvë1 ka folur për letrën dërguar KFOR-it, për çka thotë se dërgimi i FSK-së në veri nuk ka pasur për qëllim tensionimin e situatës.

Maqedonci tha se në letër është ritheksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 nga ish-presidenti, Hashim Thaçi.

Tutje, ai për redaksinë ka bërë të ditur se nuk bëhet fjalë për rizotim sepse sipas tij, zotimi i 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s.

“Qëllimi i letrës ka qenë që të sqaroj Komandantin e KFOR që një angazhim i një njësie të FSK në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës nuk ka pas qëllim tensionimin e situatës. Në letër kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe si gjithnjë që e kam thënë publikisht në media, kam ritheksuar që institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK në operacione në veri pas koordinimit paraprak me Komandantin e KFOR.

Letra zotuese e vitit 2013 është dërguar nga ish-kryeministri Thaçi për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Pra çështjet përmbajtësore të zotimit adresohen në atë nivel, kurse në nivelin tim dhe të Komandantit të KFOR-it është që të sigurojmë njëri tjetrin që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar. Pra, nuk bëhet fjalë për ri-zotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s”, ka thënë ai për Tëvë1.

Ndryshe në media është raportuar se Maqedonci i ka dërguar letër komandantit të KFOR-it, Enrico Barduani, ku thuhet se qeveria kosovare, rizotohet me shkrim se nuk e dërgojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në veri të vendit pa marrë autorizim paraprak .