Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se kjo ministri ka shpenzuar 97 për qind të buxhetit që ka qenë i dedikuar për mbrojtjen.
Ai ka thënë se ushtria jonë sot është më e fuqishme dhe e përgatitur se kurrë për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin tonë.
Tutje, ai tha se gjatë këtij mandati kanë dyfishuar numrin e ushtarakëve dhe se kanë investuar ngritjen e kapaciteteve ushtarake.
“Kemi pasur katër objektiva. Ushtria jonë sot është më e fuqishme se kurrë, më e përgatitur dhe e trajnuar se kurrë dhe më e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin tonë. Gjatë mandatit tonë deri tani janë rekrutuar 1971 ushtarak të rijnë, ndërsa jemi në proces të rekrutimit edhe të 300 ushtarëve duke quar në numrin total në 2271. Kemi investuar në ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Gjatë katër viteve janë shpenzuar mbi 270 milion euro në blerjet ushtarake, pra të armatimit”, tha ai.
Për kushtet e punës, ka thënë se ka ndodhur ngritja e pagave për 60%, e cila do të aplikohet nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.
Maqedonci me tej, ka thënë se janë në fazën e identifikimit të partnerëve për mundësinë e hapjes së laboratorit për dizajnimin e dronëve.
Ai tha se kjo do të mundësojë që vendi ynë të bëhet prodhues i dronëve fillimisht për nevoja të veta dhe pastaj edhe për eksport.
“Sa i përket çështjes së dizajnimit të dronëve, me një vendim të kryeministrit Kurti është krijuar një komision ndërministrorë që ka pasur dy detyra kyçe: çështjen e fabrikës së municioni dhe çështjen e laboratorit të dizajnimit të dronëve. Për fabrikën e municionit veç se është nënshkruar një marrëveshje, kurse aktualisht jemi në fazën e identifikimit të partnerëve tanë, për mundësinë e hapjes së laboratorit për dizajnimit e dronëve hapja e të cilit do të mundësojë që në të ardhmen vendi ynë të bëhet prodhues i dronëve, gjithmonë se pari për nevoja të brendshme të vendit tonë dhe pastaj me mundësi për të eksportuar jashtë vendit”, ka thënë ai në konferencën e fundvitit.