Maqedonci e quan kamuflim sqarimin e Serbisë për prezencën e ushtrisë afër kufirit me Kosovën

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci e ka quajtur kamuflim reagimin e ministrisë serbe, lidhur me aktivitetet afër kufirit të Kosovës, ku tha se aty ushtria serbe “ kishte parandaluar kontrabandë me dru”.

Maqedonci në një reagim në Facebook ka shtruar pyetje se prej kur ushtria serbe ruan pyjet me ushtarë e mjete të blinduara.

“Në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë në lidhje me aktivitetet e ushtrisë serbe në afërsi prej 50 metra nga vija kufitare me territorin e Kosovës, një aktivitet tipik ushtarak, mundohet të kamuflohet si aktivitet për pengimin e prerjes ilegale të pyjeve. Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se Serbia vazhdimisht përpiqet që të gjejë justifikime për prezencën ushtarake serbe.

“Në vazhdimësi, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë përpiqet që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Republikës së Kosovës, ta arsyetoj duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrueshme, siç përpiqet që edhe ushtrimet me avionë luftarakë sulmues dhe dronë vetvrasës sulmues, siç ishte ushtrimi “Vihor 2024” në Peshter, t’i paraqes si përgatitje ushtarake për mbrojtje të territorit”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka thënë se veprimet e Serbisë tregojnë Militarizimi për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë.

Ministria serbe e Mbrojtjes teksa ka reaguar për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti lidhur me lëvizjet e rreth 50 ushtarëve serbë në vijën kufitare me Kosovën, ka thënë se bëhet fjalë për pengim të kontrabandës me drunj.