Organizata bamirëse mjekësore Medical Aid for Palestinians (MAP) dhe grupi për të drejtat e njeriut Al Mezan kanë refuzuar përfundimet e hetimit të ushtrisë izraelite mbi vrasjen e 15 punonjësve palestinezë të emergjencës në Gaza gjatë muajit mars.
Në një deklaratë të përbashkët, të dy organizatat e cilësuan raportin izraelit si një përpjekje për të “shfajësuar veten dhe për të mbuluar mizoritë”, duke shtuar se raporti “nuk synon drejtësinë, por mbrojtjen e autorëve të krimeve”.
MAP dhe Al Mezan e quajtën raportin një “shtrembërim të rëndë të realitetit” dhe theksuan se ai shërben për të shmangur përgjegjësinë për një akt që mund të përbëjë krim lufte.
Të dyja organizatat gjithashtu denoncuan faktin se i vetmi i mbijetuar i sulmit – punonjësi i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, Assad al-Nasasrah – vazhdon të mbahet në paraburgim nga autoritetet izraelite. Ai është një nga rreth 300 punonjës shëndetësorë që janë rrëmbyer nga forcat izraelite në Gaza që nga tetori 2023.
MAP dhe Al Mezan theksuan nevojën për “llogaridhënie të vërtetë ndërkombëtare” për vrasjen e punonjësve të emergjencës.




